Vrasja e gjyqtares, apeli le në qeli Fadil Kasemin

schedule15:36 - 20 Shtator, 2017

schedule 15:36 - 20 Shtator, 2017

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Fadil Kasemin, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes, Fildez Hafizi. Në sallën e gjyqit, ai kërkoi të mos i cënohet nderi i familjes dhe i gruas, që siç tha, e donte akoma.

“Ju kërkoj avokatëve dhe kujtdo tjetër të mos merren me familjen time dhe nderin e gruas time. Unë vazhdoj ta dua akoma”. Ky ka qenë deklarimi i vetëm i shqiptuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda nga Fadil Kasemi. 53-vjeçari i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes, gjyqtares Fildez Hafizi, doli para një Kolegji Penal të Apelit mëngjesin e së mërkurës. Përmes avokatit ai kërkoi lirim nga qelitë e paraburgimit.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura mbrojtësi i Kasemit ka këmbëngulur në problemet mendore të klientit të tij. Avokati ka kërkuar zbutje të masës së sigurimit, ose një caktimin e një mase shtërnguese me afat 30 ditor. Gjatë kësaj kohe, janë shprehur avokatët, do ju vërtetojmë se i mbrojturi prej nesh ka probleme të shëndetit mendor.

Kërkesa e mbrojtjes është kundështuar nga ana e përfaqësuesit të akuzës në sallën e gjyqit. Ai kërkoi rrëzimin e kërkesës për lirim, me pretendimin se për të dyshuarin Kasemi nuk ka ndryshuar asnjë kusht ligjor, që do të ndikonte në zbutjen e masës së sigurimit. Duke iu referuar rrezikshmërisë shoqërore të 53 vjeçarit dhe veprës penale të kryer prej tij, si edhe parashikimit të dënimit të saj me burgim të përjetshëm, prokurori kërkoi lënien e tij në paraburgim.
Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Kolegji Penal vendosi të mos lërë të pandryshuar masën “arrest në burg” për Kasemin.
Gjyqtarja Fildez Hafizi u vra me armë zjarri në automjetin e saj në 31 gusht të këtij viti, pak çaste pasi kishte dalë nga një parukeri në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet.
Pas zgjidhjes së martesës me ish-bashkëshortin Kasemi në vitin 2015 gjyqtarja ishte kërcënuar disa herë prej tij.