Burg përjetë për Fadil Kasemin

schedule12:41 - 17 Janar, 2019

schedule12:41 - 17 Janar, 2019

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me burgim të përjetshëm Fadil Kasemin. Ai u fajësua për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij gjyqtare në 31 gusht 2017 në Tiranë.

Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi gjykimin e Fadil Kasemit duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm. Kasemi u shpall fajtor për vrasjen e ish-bashkëshorte së tij, Fildes Hafizi, ngjarje e ndodhur në 31 gusht të vitit 2017. Ai qëlloi me armë zjarri gjyqtaren, pak caste pasi ajo kishte hipur në mjetin e saj në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet. Pas krimit ai shkoi drejt komisariati nr.1 përmes një automjeti të rastësishëm, pasi e kërcënoi me armë drejtuesin e tij.

Para shpalljes së vendimit për mbylljen përjetë në qëli, gjykata u njoh të enjten me konkluzionet e mbrojtjes. Përmes avokatit të tij, Kasemi pranoi akuzën e vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, por jo akuzën e “rrëmbimit të personit”.

Kasemi i kërkoi gjykatës të mbante prasysh faktin se kur ndodhi ngjarja e ndjera i kishte kthyer fëmijët kundër, si edhe ishte treguar mosmirenjohëse ndaj tij.

Vendimi i gjykatës miratoi kërkesën e paraqitur nga prokuroria në pretencë, në 27 dhjetor të vitit të kaluar, ku u kërkua dënimi përjetë i tij. Në konkluzionet përfundimtare u përmendën edhe konfliktet e mëparshme mes dy ish-bashkëshortëve, si ai vitit 2015, ku ai kërcënoi me armë gjyqtaren Hafizi në Golem./abcnews.al