Ngjarja e rëndë e mbrëmjes së të hënës në Velipojë, ku mbetën të vrarë dy të rinj, dyshohet se e ka zanafillën në një konflikt mes një kamarieri dhe një kuzhinieri në një lokal në këtë zonë.
Arsid Hoxha edhe Ersild Ishmi u plagosën me armë zjarri nga dy vëllezërit Eduard e Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli, por pavarësisht se u dërguan me urgjencë në spital, nuk mundën të mbijetojnë.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj tha se bëhet fjalë për një konflikt të ndodhur në fudn të qershorit.
“Sot rreth orës 21 të mbrëmjes në plazhin e Velipojës ka ndodhur një plagosje me armë zjarri e shtetasve Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra të dy këta shtetas kanë gjetur vdekjen në spitalin rajonal Shkodër. Shkak i këtij konflikti ka qenë një debat mes këtyre dy viktimave dhe vëllezërve Eduart dhe Gëzim Frroku, pronarë të hotel ‘Holiday’. Ngjarja e ka zanafillën në 28 qershor të këtij viti, ku në ambientet e hotelit ka pasur një debat mes kamarierit dhe kuzhinierit të këtij hoteli. Si rezultat, në 14. 07.2024, shërbimet e policisë së drejtorisë vendore Shkodër, kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit Arsid Ishmi. Vazhdon puna për arrestimin e autorëve të dyshuar”, tha Sulaj./abcnews.al


