Vrasja e 19 vjeçarit grek, i riu shqiptar i vetëdorëzuar në Korçë pendohet: Do them të vërtetën

schedule17:25 - 10 Shkurt, 2022

schedule 17:25 - 10 Shkurt, 2022

20-vjeçari Roxhers Demirazi, i cili është një prej 11 të dyshuarve për vrasjen e 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos, pas sherrit mes tifozërive të futbollit në Selanik, është vetëdorëzuar sot te autoritetet shqiptare.

Sipas asaj që dyshohet se i ka thënë avokatit të tij, ai është penduar për faktin që ka ikur në Shqipëri pas krimit dhe kërkon të gjykohet për të treguar, siç thekson ai, të gjithë të vërtetën për atë që ndodhi natën e vrasjes.

Lexo edhe: Në kërkim nga Greqia për vrasjen e 19-vjeçarit, vetëdorëzohet Roxhers Demirazi

“Më vjen keq që u largova. Dua të kthehem dhe të gjykohem për të thënë të gjithë të vërtetën për atë që ndodhi në të vërtetë atë natë. Më vjen shumë keq për fëmijën”, i ka thënë avokatit të tij. “Jam penduar”.

Deklaratat e 20-vjeçarit shqiptar që iu dorëzua më herët autoriteteve shqiptare u transmetuan nga Alpha dhe emisioni “ΤLive”.

E pashë incidentin në lajme dhe u tremba. Babai do të ikte me gjyshen, u tremba dhe i kërkova të shkoja me ta. Askush nuk më ndihmoi të ikja. Vendimin e mora vetë. Babai im nuk dinte për mua dhe ngjarjen kur u largova. E ka mësuar në Shqipëri. Unë do t’i tregoj hetuesit gjithçka. Dua të dorëzohem në Greqi për t’u marrë me rastin. Më vjen keq për gjithçka. Më vjen keq për atë që ndodhi. Nëse do të kthehesha pas, nuk do të shkoja kurrë në stadium sepse dhuna e tifozëve ka arritur kufijtë e saj”, ka thënë ai më tej.

Roxhers Demirazi mundi të largohej nga Greqia pas ngjarjes së rëndë, duke shmangur në këtë mënyrë dhe arrestimin e tij. Ndërkohë, avokatët grekë kanë thënë në median greke se pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest është e pamundur që i riu të kthehet vetë në Greqi, të kalojë kufirin si çdo qytetar. Ndaj, edhe autoritetet greke i kanë sugjeruar të dorëzohet në autoritetet shqiptare, për të kryer procedurën në prokurorinë e zonës e në vijim të kryhet dhe ekstradimi në Greqi.

*Foto e shkrepur para rajonit të policisë Korçë

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!