Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku po punon drejt një përfundimi të përhershëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar nevojën për të rivendosur sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit.
Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian, Von der Leyen tha se një qetësi e kohëve të fundit në luftime ofron një mundësi për të çuar përpara përpjekjet diplomatike, duke përfshirë ruajtjen e një armëpushimi që përfshin Iranin dhe Libanin.
“Qëllimi ynë i përbashkët është tani të shohim një përfundim të përhershëm të luftës, dhe kjo përfshin rivendosjen e lirisë së plotë dhe të përhershme të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pa taksa. Dhe është po aq e qartë se çdo marrëveshje paqeje do të duhet të adresojë programin bërthamor dhe të raketave balistike të Iranit”, tha ajo.
Von der Leyen u shpreh se udhëheqësit e BE kanë takuar partnerë rajonalë, përfshirë Egjiptin, Libanin, Sirinë dhe Jordaninë, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, për të koordinuar përpjekjet drejt deeskalimit dhe stabilitetit.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se pasojat ekonomike të konfliktit mund të vazhdojnë “për muaj ose edhe vite”, veçanërisht në tregjet e energjisë, pasi ndërprerjet në rrugët kryesore të transportit detar rrezikojnë të rrisin çmimet globale.
Duke vënë në dukje ndikimin, shefja e KE-së tha se fatura e importit të karburanteve fosile në Evropë është rritur me më shumë se 27 miliardë euro (31,6 miliardë dollarë) në vetëm 60 ditë konflikti, “pa asnjë molekulë energjie shtesë”.
Ajo tha se kriza nënvizoi cenueshmërinë e BE-së ndaj karburanteve fosile të importuara dhe bëri thirrje për përshpejtimin e tranzicionit në energjinë e prodhuar në vend.
“Ne duhet të zvogëlojmë varësinë tonë të tepërt nga karburantet fosile të importuara dhe duhet të rrisim furnizimin tonë me energji të pastër të prodhuar në vend dhe të përballueshme”, tha ajo, duke treguar burimet e rinovueshme dhe energjinë bërthamore si shtylla kryesore.
Von der Leyen theksoi gjithashtu nevojën për një koordinim më të fortë midis shteteve anëtare të BE-së mbi rezervat e karburantit dhe ruajtjen e gazit, si dhe mbështetje të synuar për familjet dhe industritë e cenueshme për të shmangur përsëritjen e masave të kushtueshme dhe të pa synuara të vërejtura gjatë krizës së mëparshme energjetike.
Ajo shtoi se elektrifikimi dhe efikasiteti i energjisë do të jenë thelbësore për uljen e kërkesës dhe mbrojtjen e Evropës nga goditjet e ardhshme, ndërsa vuri në dukje se vendet me pjesë më të larta të energjisë me karbon të ulët janë prekur më pak nga paqëndrueshmëria e çmimeve.
Presidentja e Komisionit Evropian, tha gjithashtu se BE deri në verë do të paraqesë një plan veprimi për elektrifikimin, së bashku me përpjekjet më të gjera për të modernizuar infrastrukturën energjetike dhe për të forcuar sigurinë ekonomike.


