Vokshi: Agresioni ndaj medias, nevojë e Ramës për të mbuluar skandalin Xhafaj

schedule11:16 - 19 Maj, 2018

schedule 11:16 - 19 Maj, 2018

Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, ka denoncuar atë që e quan, shantazh të kryeministrit ndaj gazetarëve që e përballin me realitetin e bashkëqeverisjes me krimin. Deputetja demokrate iu referua komunikimit të tensionuar të Ramës, në konferencën me gazetarët një ditë më parë.

Albana Vokshi: “Agresioni i djeshëm ndaj medias ishte nevoja jetike e Edi Ramës për të mbuluar skandalin “Xhafaj” dhe nëpërmjet shantazhit e kërcënimit, të fshehë të vërtetën e dy vëllezërve: njëri, Agron Xhafaj, bos i drogës dhe i krimit të organizuar në Vlorë, tjetri, Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, që ka vënë Policinë e Shtetit në shërbim të të vëllait trafikant. Sot, ju ndoshta prisni fjalinë e zakonshme se Partia Demokratike dënon shantazhet dhe kërcënimet e kryeministrit nga gazetarëve dhe medias! Por sot kjo është e tepërt! Nuk kanë kaluar 24 orë nga qëndrimi dinjitoz i Ambrozias përballë shantazhit të kryeministrit dhe video është bërë virale! Janë me mijëra e mijëra shqiptarët që e kanë shpërndarë videon në rrjetet sociale, duke përgëzuar gazetaren e re kurajoze. Ky është dënimi më i madh për Edi Ramën! Shumica e shqiptarëve të ndershëm nuk duan të qeverisen nga pakica e krimit, që është kthyër në pengesën kryesore për Shqipërinë Europiane! Tani, na duhet që secili prej nesh ta tregojë çdo ditë të njëjtën këmbëngulje dhe kurajo si Ambrozia! Vetëm kështu do t’ia dalim të kemi nje qeveri që punon për shqiptarët dhe jo për krimin! Të bashkohemi në protestë të shtunën, më 26 Maj, sepse tani është koha të mos e lëmë fatin e Shqipërisë Europiane në duart e qeverisë më antieuropiane”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!