Në prezencë të autoriteteve të larta shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, në qytetin e Vlorës u festua 105 vjetori i shpalljes së pavarësisë. Me këtë rast, u publikua edhe logoja e Vitit Mbarëkombëtar të Skëndërbeut.
Ngritja e flamurit, në sheshin me të njëjtin emër, nisi ceremoninë e organizuar në Vlorë për 105 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Përveç Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe Kryeministrit Rama, nga Kosova ishte I pranishëm edhe Presidenti Hashtim Thaçi, ndërsa kryeministri Haradinaj ishte detyruar të kthehej në Prishtinë për shkak të takimit me një zyrtare të lartë amerikane të Departamentit të Mbrojtjes.
Pas homazheve pranë monumentit të Ismail Qemalit, bashkë me zyrtarët e të dyja shteteve ceremonia u spostua në ambientet para Shtëpisë muze të Pavarësisë, ku edhe u shpall logoja zyrtare e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skëndërbeut.
Në mungesë të homologut të Kosovës, Kryeministri Rama tregoi se gjatë këtij viti dy shtetet shqiptare do t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë Diasporës.
Presidenti Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij, nënvizoi se asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë qenë një pozitë më favorshme sesa sot.
Ndërsa Presidenti Meta theksoi nevojën për të evituar përçarjet, duke u frumëzuar nga mesazhi përbashkues i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit.
Në fund, Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ftoi të pranishmit të vizitonin ambientet e reja të Bashkisë së qytetit të pavarësisë./abcnews.al
https://youtu.be/qCVNAMOkd5E