Një 41 vjeçar mbeti i plagosur rëndë sot pasdite në një atentat me armë në qytetin e Vlorës. Ndaj makinës së tij është qëlluar me automatik në lagjen “Pavarësia”. Autorët e krimit janë ende të paidentifikuar.
Dy persona me motor i kanë prerë rrugën një makine tip audi në Vlorë dhe kanë qëlluar me armë. Nga të shtënat ka marrë plagë të rënda 41 vjeçari Mikel Mehmeti nga Selenica.
Dyshohet se të plagosurin po e shoqëronte edhe një person tjetër, por ende nuk ka të dhëna për identitetin e tij dhe nuk dihet gjendja shëndetësore.
Atentati me armë zjarri ndodhi në rrugën “Gjergj Araniti”. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me motor dhe më pas e kanë braktisur mjetin. Policia pak minuta pas krimit gjeti një automjet të djegur në afërsi të stacionit të trenit. Automjeti tip Mitsubishi dyshohet të jetë përdorur nga autorët për fshehjen dhe largimin e tyre.
Në vendin e krimit janë gjetur shtatë gëzhoja automatiku. 41 vjeçari Mikel Mehmeti i cili dyshohet të ketë qenë shënjestër e atentatit ka marrë plagë në kraharor dhe në bark. Gjendja e tij është mjaft kritike, – thonë mjekët.
Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes duke sekuestruar dhe pamjet e sigurisë të një lokali të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
I plagosuri nuk rezulton person me precedentë penalë. Mehmeti, njihet në Vlorë si bashkëpunëtor i ngushtë i vëllezërve Llanaj. /abcnews.al