Prej 48 orësh në Portin e Vlorës nuk është lejuar asnjë mjet lundrues të dalë në det për shkak të motit. Por agjensitë kanë shitur bileta për udhëtimin Vlorë-Brindizi dhe pasagjerët kanë mbetur në territorin e Portit.
Janë pasagjerët me bileta për të udhëtuar drejt Brindisit. Po presin në territorin e portit të Vlorës dhe nuk kanë asnjë dijeni për pezullimin e lundrimit. Ky vendim është dhënë që të shtunën nga kapiteneria e porteve për shkak të motit të keq në det, por agjensitë kanë shitur bileta Vlorë-Brindsi.
Bëhet fjalë për tetë autobusë me pasagjerë, makina të vogla dhe kamionë të trasportit të mallrave. Ata nuk do të udhëtojnë as këtë të dielë. 48 orë black out. Udhëtarët kërkuan shpjegime tek agjensitë për situatën e krijuar, kurse siguria e portit për një orë nuk lejoi mediat në port.
ABC News u interesua tek autoritet portuale për atë që po ndodh në Vlorë. Jashtë kamerave, drejtori Admir Malaj tha se janë agjensitë ato që duhet të kishin njoftuar pasagjerët për lundrim të hënën dhe jo të dielën. Për të zgjidhur ngërçin, zyrtarisht u komunikua edhe me shërbimet portuale të Brindizit për të kryer përpunimin e pasagjëreve këtë të dielë, por pala italiane nuk ofron shërbim jashtë kalendarit zyrtar të lundrimit nga Shqipëria./abcnews.al