Policia Kufitare e Vlorës zbuloi në bregdet një gomone me drogë dhe nje makinë të ngecur në zonën e plazhit të vjetër. Tre persona janë shoqëruar dhe po punohet për kapjen e autorëve dhe zbulimin e destinacionit të drogës.
E ngarkuar mirë, gati për lundrim, por e braktisur në det pranë Petroliferës.
Asnjë njeri në bord. Por policia ka shoqëruar tre të dyshuar.
Me mbishkrimin në gjuhën greke, brenda ishin vendosur pakot me afro 500 kilogramë kanabis sativa.
Pranë tyre edhe ushqimi dhe uji i pijshëm për skafistët.
Policia Kufitare bëri transportimin e saj për në Triport.
Elton Nika: “Gomonia me lëndën narkotike është përcjellë në zonën e Triportit, aty ku Policia Kufitare, Delta Force por edhe Guardia di Finanza kanë nisur edhe peshimin e lëndës narkotike”.
Pesë metra e gjatë, me një motor vetëm një kilometër larg vendit, ku më herët, policia gjeti në zonën e plazhit të vjetër të Vlorës, një makinë me targa italiane, e cila kishte ngecur në det.
Dyshimet ishin se kishte ngecur duke tërhequr një gomone.
Te dyja ngjarjet mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën, por megjithatë është shpejt për të dalë në konkluzione, thonë hetusit.
Në makinën tip “Xhip” u gjetën dhe një palë dokumente të një shqiptari, të cilat po verifikohen.
Sipas Policisë së Shtetit, kapja e gomones dhe e makinës nuk ishte rastësi.
Policia Kufitare e Vlorës bashkë me Forca Delta kishin nisur kontrollet natën, pasi kishin marrë një informacion në rrugë operative për nisjen e një gomoneje me drogë./abcnews.al