Vllaznia me plan konkret, Xhaferi: Paratë jo gjithçka, shikoni Laçin

schedule10:33 - 23 Gusht, 2020

schedule 10:33 - 23 Gusht, 2020

“Strategjia kryesore është të ofrojmë elementin e ri dhe t’i promovojmë, ndërsa më pas të krijojmë mundësi merkato për t’i transferuar”, ky është plani i Vllaznisë dhe këto fjalë i thotë Alban Xhaferi, sponsori i Vllaznisë, i cili në një intervistë për “TV1 Channel” në Shkodër ka folur për tema të ndryshme.

E para është pikërisht merkato: “Do afrojmë disa elementë cilësorë nga vendi, por edhe të huaj që do të bëjnë diferencën. Jemi në fazën më intensive të merkatos, presim brazilianin dhe në vijim do bëjmë prezent disa lojtarë të huaj. Ndoshta, do të ketë edhe nga Kosova apo Maqedonia. Po punojmë që të arrijmë objektivin për të shkuar në Kupat e Europës”.

Paratë janë shumë të rëndësishme, ndërkohë që po tentohet të mos shpenzohet kot. “Ne kemi një buxhet paracaktuar dhe sigurisht me çdo lojtar negociojmë dhe ka një çmim tregu që verifikohet nga specialistët. Nuk është problem thelbësor pjesa e financave, problem thelbësor është që të marrim më të mirët, me çmimin më të mirë. Ka disa reparte ku Vllaznia ka probleme, sidomos pjesa e sulmit dhe mesfushës. Ka një garë shumë të fortë, nuk është gjithçka puna e lekëve.”.

Vllaznia ka në program një miqësore me Kastriotin në mesjavë, ndërkohë që faza përgatitore mund të zhvillohet në Korçë.  Xhaferi i rikthehet temës së financave dhe përmend klubin e Laçit. “Kemi një model si Laçi, që ka arritur objektivin edhe me financa më të reduktuara. Financat kombinohen me elementët teknik. Ne po punojmë që të arrijmë objektivin, po punojmë si një grup dhe vazhdimi është pjesa teknike që do bëjë organizimin e ekipit”.

Në fund ai flet edhe për objektivat dhe marrëveshjen që ai ka bërë me Bashkinë Shkodër: “Marrëveshja është pesëvjeçare dhe plani im trevjeçar, në arritjen e disa objektivave të prezantuar. Viti i parë është i vështirë, por e rëndësishme është që po punojmë fort të organizojmë një Vllazni pretendente. Gjithsesi kemi ambicie të forta”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!