Vllaznia, ish-trajneri kërkon largim të drejtuesve

schedule15:43 - 14 Maj, 2018

schedule 15:43 - 14 Maj, 2018

Vllaznia duhet ta kërkojë fajin tek vetja për rënien e mundshme nga Superliga. Ish-trajneri i saj, Hysen Dedja, bën një analizë të skuadrës shkodrane dhe ka akuza për drejtuesit.

E ndan vetëm një fije nga fatkeqësia e madhe.

Kaq e rëndë duket mundësia e rënies së Vllaznisë nga Superliga, saqë kjo nuk arrin të besohet nga ata shkodranë që dhanë gjithçka për fanelën e saj.

I tillë Hysen Dedja, ish-futbollist kampion dhe ish-trajner kampion me skuadrën e qytetit të tij të lindjes.

Hysen Dedja: “Duhet ta them edhe në këto momente nuk arrij ta besoj. Ngaqë është ajo pjesa e matematikës, janë edhe 6 pikë dhe shpresoj përsëri që Vllaznia nuk do të bjerë një kategori më poshtë”.

Dedja thotë se gjendja e sotme nuk është rastësi dhe thekson diçka që e shqetëson në veçanti.

Hysen Dedja: “Nuk është problemi që ishte këtë kampionat. Vllaznia ka 7-8 vite që lundron në këto ujëra. Pra në këtë qytet po ndryshohet pskologjia. Kanë 7-8 vjet që nuk kanë reaguar. Vllaznia është larguar nga trofetë. Pse është ndryshuar ky mentalitet”?

Sipas Dedjes, kush janë fajtorët për gjendjen e skuadrës shkodrane?

Hysen Dedja: “Dihet ajo. Ata që drejtojnë. Duke filluar  nga kryetarja e bashkisë, e të gjithë me radhë. Administratori që ka përgjegjësi, stafi teknik ka përgjegjësi, të gjithë, që te përzgjedhja e lojtarëve, lojtarët. Unë do thosha që këto 7 vjet, të gjithë duhet të largohen vetë nga futbolli”.

Specialisti shkodran ka një akuzë edhe për trajnerin tashmë të dorëhequr, Ernest Gjoka.

Hysen Dedja: “Unë e kam dëgjuar në një intervistë të trajnerit, “kam shkuar të Vllaznia për ta shpëtuar nga kategoria”. Çfarë është kjo psikologji? Te Vllaznia nuk shkohet për ta shpëtuar nga kategori, por për ta çuar më lart. Shkodra ka njerëz sa të duash, që dinë vlerat e qyteti dhe psikologjinë e skuadrës, pa i hequr vlerat Gjokës. ”

Njeriu i stolit nuk dëshiron të merret me çështjet e aleancave që mund t’i kenë prishur punë Vllaznisë.

Dedja gjithsesi thotë se mbetet me shpresë që Vllaznia të fitojë ndeshjet e veta, ndërsa Kamza të gabojë në takimet e vështira me Laçin dhe Partizanin, dhe shkodranët të mbeten në elitë./abcnews.al