Vllaznia bie nga kategoria

schedule19:01 - 23 Maj, 2018

schedule 19:01 - 23 Maj, 2018

Superliga pati në nga përfundimet më dramatike të historisë së saj, pasi Vllaznia ra nga kategoria. Skuadra më e vjetër në Shqipëri humbi garën për mbijetesë me Kamzën.

E drejtë apo jo, por futbolli shqiptar duhet të mbajë zi.

Një vit pas Tiranës, ndodhi tragjedia numër 2, ajo e rrëzimit nga elita e skuadrës më të vjetër, Vllaznisë.

Ekipi i qytetit që solli topkëmbën tek ne nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në Superligë, ndërsa në kategori mbeti Kamza.

Kjo, edhe pse shkodranët fituan 5-1 në Korçë, në një ndeshje të toleruar nga ana e Skënderbeut që ishte shpallur që më parë kampion i vendit.

Suksesi i thellë nuk i bëri punë Vllaznisë pasi Kamza mori atë që deshi në fushën e Partizanit.

Kamzalinjtë triumfuan 1-0 me një gol të shënuar në nisje të pjesës së dytë me anë të Rezit, duke u ngjitur në kuotën e 46 pikëve, dy më shumë sesa shkodranët.

Festë e madhe e skuadrës së Kamzës në “Selman Stërmasi”, krejtësisht e ligjshme dhe përpara tifozëve të zjarrtë, edhe pse kishin ardhur në numër të paktë.

Në stadiumin “Skënderbeu”, ndërkaq, pati dëshpërim të thellë të futbollistëve dhe stafit teknik mik.

Kjo ishte hera e dytë që Vllaznia ra nga kategoria, pasi rrëzimit që i ndodhi në 1957, ndërsa një vit më parë ishte po në këto pozita, por mbijetoi duke fundosur Tiranën.

Mund të pohohet, gjithsesi, se Kamza e meritoi qendrimin në elitë, pasi u tregua ekip më i mirë se veriorët.

Përsa i përket verdikteve të tjerë, duhet pritur vendimi i KAS-it për Skënderbeun.

Korçarët e mbyllën turneun si kampionë, por Kukësi i vendit të dytë shpreson të marrë pjesë në Champions, nëse mbetet në fuqi dënimi i UEFA-s.

Po ashtu, Luftëtari është në Ligën e Europës, dhe po ashtu Laçi, ndërsa Partizani duhet të presë edhe ai vendimin për Skënderbeun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!