“Vizita e Hill ishte e vonuar”, Arifi: S’mund të ketë stabilitet mes Kosovës dhe Serbisë nëse s’ka në Luginën e Preshevës

schedule16:29 - 1 Prill, 2023

schedule 16:29 - 1 Prill, 2023

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, në një intervistë për “Ballkan Update” tha se vizita e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill në Luginën e Preshevës ishte e vonuar. Ai shtoi se çështja e shqiptarëve në luginë nuk ishte pjesë e bisedimeve mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç në Ohër.

“Kërkuam edhe disa kërkesa tonat që janë thelbësore për shqiptarët e Luginës së Preshevës. I bëmë pyetje dhe kërkuam një mbështetje që të ndalohet pasivizimi i shqiptarëve nga gjendja civile e Serbisë. Çështja e dytë dhe shumë më rëndësi sepse deri më tani kemi pasur probleme rreth diplomave të të rinjve shqiptarëve në universitetet e Kosovës dhe mosmundësimi i kyçjes së shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë dhe kryesorja dhe se si është marrëveshja e Ohrit.“, tha ai.

I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku nëse ambasadori do të flasë me Vuçiç për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ai tha:

“Javën tjetër do të ketë një takim me Vuçiç dhe me kryeministren e Serbisë dhe këto shqetësime që ka dëgjuar nga përfaqësuesit shqiptarë do t’ia përcjellë dhe do të më njoftojë me shpresë zyrtare se si ka shkuar biseda dhe se çfarë obligimesh ka marrë Vuçiç. Ajo që ka thënë në takimin me datë 27 mars se marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet patjetër dhe se çdo shtet që nuk i përmbahet do të sanksionohet por edhe personat që ndikojnë në moszbatimin e asaj marrëveshje.”

Arifi shtoi gjithashtu se në takimet që kanë pasur me përfaqësues të qeverisë së Kosovës, jo vetëm të Kurtit por edhe qeveritë e mëparshme kanë shprehur shqetësimet e shqiptarëve të Luginës. Ai tha se pa stabilizim politik të Luginës nuk mund të ketë as stabilitet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në çdo takim që kemi pasur me qeverinë e Kosovës gjithmonë kemi ngritur shqetësimet shqiptarëve. Kemi kërkuar që çështja e shqiptarëve të jetë temë e bisedave në Bruksel apo në ndonjë vend tjetër. Na kanë premtuar por ndodhi kjo marrëveshje dhe nuk është biseduar për shqiptarët e luginës së Preshevës. Por duke dëgjuar me vëmendje edhe sugjerimet e Hill dhe duke u nisur nga politika amerikane, që është paqeruajtëse, jam i bindur që SHBA edhe çështjen e Luginës së Preshevës do ta kenë dalëngadalë në axhendën e bisedimeve. Pa stabilizimin politik dhe ekonomik të luginës nuk do të ketë stabilitet mes Kosovës dhe Serbisë.”, përfundoi Arifi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!