Moti i keq ka goditur ashpër Italinë, ku bilanci i parë njerëzor shënon një viktimë dhe dy të plagosur rëndë.
Në Romë, një 58-vjeçar humbi jetën pasi një masiv dheu u shkëput nga një kodër, duke u rrokullisur mbi banesën e tij trekatëshe, ndërsa në jug situata mbetet kritike.
Në Kalabri, dy lumenj kanë dalë nga shtrati, duke izoluar dhjetëra familje dhe duke mbuluar akset rrugore me baltë, si pasojë e reshjeve që tejkaluan 260 milimetra në 48 orët e fundit.
Në perëndim të Europës, stuhia e fuqishme “Nils” kapërceu gadishullin Iberik dhe ka mbërritur në Francë, ku shkaktoi dy viktima dhe la rreth 900 mijë shtëpi pa energji elektrike. Bashkë me një grua që humbi jetën të enjten në Spanjë, numri i të vdekurve vetëm nga kjo stuhi ka arritur në tre.
Erërat e furishme, që kaluan 100 km/h, plagosën mbi 80 persona në Katalonjë dhe detyruan autoritetet të mbyllnin shkollat e të anulonin qindra fluturime.
Situata mbetet dramatike në të gjithë rajonin, ku katër stuhitë e njëpasnjëshme të dy javëve të fundit (Kristin, Leonardo, Marta dhe Nils) kanë shkaktuar gjithsej 24 viktima në Portugali, Marok, Spanjë dhe Francë.
Ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për riparimin e rrjeteve elektrike dhe të dëmeve të tjera, vlerësimet e para tregojnë se dëmet në infrastrukturë dhe bujqësi kanë tejkaluar shifrën rekord prej 4 miliardë eurosh.


