Skulptori i personaliteteve, Qazim Arifi rrëfeu të gjithë përvojën e tij jetësore në emisionin “Pas Mesnate”. Ai u kthye pas në kohën kur studionte në Liceu Artistik, vend ku ëndrrat e tij morën jetë.
Arifi tregoi se atëherë ka kaluar shumë vështirësi, por që e bën më të fortë dhe nuk u dorëzua.
“Ishin vite të bukura, vite të vështira, por le të themi ëndrrat që kishim ishim më të forta dhe i përballonin ato vështirësi. Ai ka qene fillimi dhe ka pasur dhe mungesa. Për shembull, nuk kisha libra për të studiuar lëndët e tjera dhe detyrohesha të çohesha herët dhe në 6 të mëngjesit unë isha në lice. Atje ishte rregulli që konviktorët e kishin orar studimi 6 deri në 7 dhe unë shkoja në atë orar merrja librat për studiuar”.
Më tej, Arifi u ndal dhe te pedagogia e tij, e madhja Kristina Koljaka, e cila për të ishte si një nënë, që përveç se i futi në botën e skulpturës, i mbajti afër dhe u kujdes me shumë dashuri.
Ai theksoi se kishin fati e madh që pedagogët e tyre ishin të kualifikuar jashtë vendit.
“Kristina ishte një pedagoge shumë korrekte, mundohej të krijonte marrëdhënie shumë të afërta. Mos ta ndjente shumë distancën, sikur ishte nëna jonë, për të na futur në botën e skulpturës për të na shpjeguar ato gjëra që ne na interesonin. Ne gradualisht filluam të thithnim. Ajo kishte një vizion për skulpturën dhe e kishte marrë shkollën italiane. Ne kishim fat sepse pedagogët që ishin në lice, ishin kualifikuar jashtë dhe kishin bërë shkollat më të mira jashtë dhe kjo na jepte ne, një farë kënaqësie, një farë kënaqësie, sepse këtu kemi njerëz që janë profesionistë dhe na bëjnë ne për të ecur përpara. Në atë kohë Liceu ishte si Akademia”./abcnews.al