Vijon zjarri që ka përfshirë magazinën pranë ish uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh.
Gazetarja Valbona Davidhi raporton se brenda magazinës ka materiale që janë lehtësisht të djegshme dhe për rrjedhojë, zjarrfikësit po mundohen të mbajnë nën kontroll flakët që të mos përparojnë drejt banesave.
Gazetari raportoi gjithashtu se dyshohet që zjarri të jetë i qëllimshëm.
“Ka banesa që rrezikohen dhe janë dhjetëra zjarrfikës në terren. Po ruajnë për të mos lejuar përparimin e flakëve drejt banesave. Ka banesa të pabanuara, por edhe banesa që janë evakuuar për arsye sigurie. Deri tani asnjë nga banesat nuk është prekur nga flakët. Objekti që po digjet është një magazinë që është private, që ka shërbyer për materiale termoizoluese që nuk mund të shuhen kollaj. Zjarrfikësit po ruajnë që të mos lejojnë që flakët të përhapen në banesat dhe objektet përreth dhe të presin që sasia e lëndës djegëse që ndizet shpejt të përfundojë së djeguri dhe të shuhen flakët”, tha gazetarja./abcnews.al


