Vijon protesta te drejtoria e policisë, u bashkohen artistët

schedule21:48 - 2 Prill, 2018

schedule 21:48 - 2 Prill, 2018

Ka vijuar edhe pasdite, protesta një grupi qytetarësh para drejtorisë së policisë së kryeqytetit. Ata përsëritën thirrjet për lirimin e të ndaluarve në Kukës, pas akteve të dhunshme në Rrugën e Kombit.

Njëlloj si gjatë paradites, protestuesit bllokuan qarkullimin e mjeteve në rrugën para drejtorisë së policisë Tiranë. Një zinxhir efektivësh policie qëndroi gjatë gjithë kohës pa ndërhyrë.

Pas bllokimit të paradites, Policia e Shtetit nisi procedim penal për 8 persona, për tubim të paligjshëm. Në mbrëmje, protestuesve iu bashkuan edhe disa artistë, të cilët shprehën solidaritetin me kërkesat e tyre.

Arben Derhemi: “Arsyeja është, të gjithë shqiptarët kanë një problem shumë të madh. Kanë një pushtet të papërgjegjshmë dhe një kryeministër të papërgjegjshëm dhe kjo është arsyeja që na bashkon të gjithëve sot dhe nuk e kuptoj se si ka kaq pak njerëz. Duhet të ishte e gjithë Tirana sot këtu. Këta njerëzit rreth e rrotull meje, kanë të dashurit sot këtu dhe u dhem shpirti sepse normalisht të të kapin padrejtësisht dhe të të fusin këtu brenda është e tmerrshme. Neve na dhemb shpirti për Teatrin Kombëtar. Dikujt tjetër i dhemb shpirti me atë që po bëhet me kullat mes Tiranës. Tani, unë kisha vetëm një gjë, një person është që po na mban varur të gjithë shqiptarët. Ai quhet kryeministër Edi Rama dhe unë i bëj thirrje këtij njeriu t’i vërë gishtin kokës. Njëherë e përgjithmonë të vendosë që nuk duhet të qeverisë këtë vend sepse është e kotë sepse është një njeri i papërgjegjshmë dhe është një njeri pa identitet, një njeri pa personalitet. E vetmja gjë që mund të them, në rast se këta njerëz, ai i ka quajtur barbarë, këta njerëz që na mbrojtën dhe neve, mbrojtën krejt Shqipërinë, mbrojtën taksën atëjherë edhe unë jam barbar. Jam njëri prej këtyre barbarëve dhe dua që e gjithë Tirana të jetë me këta barbarë sonte”./abcnews.al