Në fshatin Lazarat, Bashkia Gjirokastër, është raportuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me bar dhe shkurre. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, grupi i shërbimit zjarrfikës ka mbërritur në vendngjarje, ku ka konstatuar se zjarri, i favorizuar nga era, rrezikonte përhapjen në drejtim të banesave të banorëve.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës, u bë e mundur izolimi dhe shuarja e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme dhe rrezikimin e banesave.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë bashkimi i telave elektrikë si pasojë e erës së fortë. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe me bar dhe shkurre, ndërsa nuk pati dëme në banesa apo dëme të tjera materiale.



