Një 41-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në një rrugicë pranë Pediatrisë.
Viktima, sipas policisë, është Devi Kasmi. Ai ka ndryshuar emrin nga Dëfrim në Devi dhe dyshohet se merrej me veprimtari kriminale.
Ende nuk ka të dhëna për autorin e këtij atentati me armë zjarri. Policia e Tiranës bëri të ditur se u njoftua për ngjarjen rreth orës 18:44, përmes një telefonate në sallën operative.
Menjëherë në vendngjarje shkuan forcat e policisë që konstatuan se ishte vrarë me armë zjarri Devi Kasmi, 41 vjeç. Burimet bënë të ditur se në vendngjarje është qëlluar 5 herë me armë, ndërsa viktima dyshohet se është kapur nga 2 plumba, që i kanë marrë jetën.
Policia deklaroi se janë ngritur pika të shumta kontrolli, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të atentatit. Dëshmitarë okularë në vendngjarje bënë të ditur se autori i krimit ka qenë me motor dhe me skafandër në kokë./abcnews.al