VIDEO/ Vllaznia pas 11 vitesh në finale, Skënderbeu i bën gjëmën Teutës

schedule17:54 - 14 Prill, 2021

schedule 17:54 - 14 Prill, 2021

Vllaznia dhe Skënderbeu në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi kanë mundur respektivisht Laçin dhe Teutën. Shkodranët rikthehen në finalen e këtij kompeticioni pas 11 vitesh, kohë kur Shpëtim Duro i mposhte shkodranët në drejtimin e Besës.

Kuqeblutë u paraqitën më mirë sot kundër Laçit, që e mposhtin për herë të parë këtë sezon. Një triumf me shumë vlera, që u vendos nga një gol i shënuar në pjesën e parë nga sulmuesi Ardit Hoxhaj. Vlonjati i befasoi kurbinasit me një goditje me kokë.

Victor Da Silva kishte mundësinë të shënonte edhe golin e dytë, por gaboi. Laçi rrezikoi në një moment me Xhixhën, i cili me kokë e çoi topin jashtë. Ardit Hoxhaj kishte edhe një tjetër mundësi goli për Vllazninë, që pas 5 minutave shtesë festoi kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë.

 

NDESHJA TJETËR – Skënderbeu ka befasuar skuadrën e Teutës, duke e mundur me rezultatin 0-2 durrsakët. Një fitore që i çon korçarët në finalen e Kupës së Shqipërisë, pas tre vitesh, në një sezon ku korçarët po luftojnë për mbijetesë.

Ky duel nisi me gol, pasi u akordua penallti që në minutën e parë dhe kapiteni Jorgo Meksi nuk fali dhe shënoi. Teuta kishte komandën e lojës, por portieri Rexhepi ishte në formë dhe nuk lejoi prekjen e rrjetës. Në fundin e pjesës së parë Skënderbeu shënoi edhe golin e dytë.

Elvi Berisha mposhti portierin Frashëri dhe festoi me heqje fanelle, çka i solli kartonin e dytë të verdhë. Durrsakët në fraksionin e dytë të lojës u hodhën në sulm, me Martinin që aktivizoi Plakun, Grudën dhe Kapllanin.

Gjithsesi Teuta nuk ia doli të shënonte qoftë edhe një gol që do ta vinte në presion të madh Skënderbeun dhe tani duhet të fokusohet të kampionati. “Djemtë e detit” janë në vendin e parë në Superiore dhe synimi kryesor është titulli kampion. /abcnews.al

KUPA E SHQIPËRISË – GJYSMËFINALET

VLLAZNIA-LAÇI 1-0
Shënues:
Hoxhaj 21′
VLLAZNIA:
Zogovic, Gurishta, Adili, Shehi, Isaevski, Krymi, Jonuzi, Marku, Victor Da Silva (Kruja 63′), Hoxhaj (Kalezic 74′), Dilaver. Trajner: Thomas Brdaric
LAÇI: Sherri, Marku, Malota, Ignjatovic, Obanor, Musta (Harmon 62′), Lushkja (Mazrekaj 46′), Deliu, Bytyçi, Shehu, Xhixha. Trajner: Shpëtim Duro
Kartonë të verdhë: Krymi 3′, Adili 31′, Dilaver 42′, Marku 58′, Zogovic 85′ / Lushkja 13′, Malota 15′, Musta 55′, Bytyçi 75′, Ignjatovic 86′

TEUTA-SKËNDERBEU 0-2
Shënues: Meksi (pen) 2′, Berisha 44′
TEUTA: Frashëri, Todorovski (Karabeci 78′), Hoxha (Plaku 59′), Arapi, Jackson, Aleksi, Daja, E. Vila, L. Vila (Gruda 59′), Bregu, Krasniqi (Kapllani 68′). Trajner: Edi Martini.
SKËNDERBEU: Rexhepi, Meksi, Vitija, Bajrami, Sadriu, Zguro, Vangjeli (Jean Victor 75′), Taipi, Mara (Dowouna 88′), Berisha, Mensah. Trajner: Migen Memelli
Kartonë të verdhë: Aleksi 1′, Hoxha 1′, Daja 6′, Arapi 61′ / Berisha 12′, 44′, Zguro 32′, Mara 32, Rexhepi 76′, Mensah 79′
Karton i kuq: Berisha 44′ (2v)

44′ Tjetër gol në Durrës dhe është sërish Skënderbeu që ndëshkon Teutë. Elvi Berisha doli i vetëm kundër portierit Frashëri, duke dërguar topin në rrjetë. Sulmuesi hoqi fanellën, harroi që e kishte një karton të verdhë dhe doli jashtë me të kuq. 

32′ Victor Da Silva kishte mundësinë më të mirë për të ndëshkuar Laçin për të dytën herë. Braziliani nuk e shtyu dot topin në rrjetë, pas pasimit të Hoxhajt

21′ Ardit Hoxhaj i Vllaznisë ka ndëshkuar skuadrën e Laçit, pas një goditjeje këndi. Sulmuesi vlonjat ndëshkoi portierin Alen Sherri

REALIZIMI I PENALLTISË

1′ Pak sekonda lojë dhe Skënderbeu fitoi një penallti në “Niko Dovana”. Ekzekutimin e mori përsipër kapiteni Jorgo Meksi, i cili nuk gaboi dhe kaloi ekipin korçar në avantazh.