Bayern Munchen fiton trofeun e radhës. Pas kampionatit, Kupës së Gjermanisë dhe Champions League, skuadra gjermane fiton edhe Superkupën e Evropës. 2-1 fituan djemtë e Hans-Dieter Flick përballë Sevillas në “Puskas Arena” të Budapestit.
Minuta e 13-të solli zhbllokimin e sfidës. Spanjollët fituan një penallti pas ndërhyrjes së parregullt të David Alaba ndaj Ivan Rakitic. Lucas Ocampos nuk gaboi përballë Manuel Neuer, duke kaluar skuadrën andaluziane në avantazh.
Bayern u hodh në sulm dhe barazoi takimin në minutën e 34-t. Asist perfekt i Robert Lewandowskit dhe finalizim i Leon Goretzkas. Bavarezët gjetën një tjetër gol në minutën e 51-të me anë të Lewandowskit, por VAR-i frenoi festën e rekordmenëve gjermanë.
90 minutat u mbyllën pa fitues dhe ekipet shkuan në shtesa. Bayerni vijoi të krijonte më shumë dhe ia doli të gjente golin e fitores. Minuta e 104-t dhe Javi Martinez, i cili kishte vetëm 5 minuta që ishte futur në fushë, realizoi me kokë.
Kohë nuk kishte më për Sevillan, Bayerni e menaxhoi avantazhin dhe në fund festoi fitimin e trofeut të katërt brenda pak muajve. /abcnews.al
Superkupa e Evropës, “Puskas Arena”
Bayern Munchen-Sevilla 2-1
(Goretzka 34′, Martinez 104′ / Ocampos (pen) 13′)