VIDEO/ Skemat piramidale, si i vodhi politika shqiptarët?

schedule14:33 - 21 Shkurt, 2020

schedule 14:33 - 21 Shkurt, 2020

Në vitet 1995-1996 pjesa më e madhe e shqiptarëve po jetonin në një realitet të çmendur. Përmbi 200 mijë familje, gati i gjithë një popull, ishte përfshirë nga dalldia e mbylljes së kursimeve në firmat rentiere.

Të gjithë mendonin se ishte duke fituar, duke u pasuruar. Në fakt ashtu dukej. Përqindjet mujore të ofruara nga kompanitë rentiere ishin aq të larta, saqë edhe shumat modeste siguronin të ardhura të bollshme për të jetuar pa punuar.

Ndërsa ata, që nuk i tërhiqnin përqindjet, pas një viti të plotë kalendarik, apo diçka më tepër, e shihnin veten të konvertuar në milionerë. Pikërisht ky realitet i çmendur i shtyn përditë e më tepër shqiptarët të mbyllin paratë në sportelet e kompanive rentiere.

Atje shkojnë edhe të gjitha fitimet e emigrantëve, por edhe të gjitha të hollat, që më të dehurit nga aroma e përfitimit, siguruan pas shitjes së banesave, trojeve, apo edhe bagëtive.

Panorama e marrëzisë plotësohej edhe me rregullatorin shtet, që ecte në të njëjtin drejtim me çmendurinë, madje duke i servirur skemat rentiere si modelin më të qartë të suksesit të kapitalizmit të ri shqiptar.

Në fund të vitit 1996 dhe në fillm të vitit 1997, rrëzimi me kërcëllimë i skemave mashtruese financiare e zë poshtë vetes edhe shtetin. Populli ngrihet në protesta që përfundojnë në përdorim dhune. Situata rëndohet ditë pas dite.

Fillimisht Vlora, por edhe Saranda e Himara, dalin jashtë kontrollit të shtetit. Depot e armatimit të ushtrisë sulmohen, qeveria bie, mijëra shqiptarë sërish largohen në një eksod masiv, rreth 2 mijë të tjerë vriten dhe vendi për pak sa nuk shkon drejt luftës civile. Si gjithmonë faturën, tepër të madhe për këllqet e një vendi të varfër, e paguan shqiptarët e thjeshtë.

Dy të tretat e popullit u rrënuan ekonomikisht, humbi pasuria e vënë me mund e shumicës së njerëzve, përfshirë bizneset, banesat e të tjera.

Shkurt, rrota e historisë për shqiptarët u kthye sërish disa vite pas. Por çfarë ndodhi saktësisht në Shqipërinë e këtyre viteve?

Si lindën dhe funksionuan skemat mashtruese financiare? Kush i mbështeti dhe kush i sulmoi?

Si u përdor situata nga politika duke provokuar rrëzimin e shtetit? Ç’fat patën asetet e mbetura të skameva mashtruese? Si i vodhi dhe rrënoi politika shqiptarët?Përmes sjelljes kronologjike të ngjarjeve, pamjeve e dokumenteve ekskluzive, emisioni Abc/Story, që do të shfaqet të shtunën në orën 22:15, rindërton historinë e plotë të ngritjes dhe shëmbjes së skemave rentiere mashtruese shqiptare.