Qeveria iraniane ka sinjalizuar se është e përgatitur për një përshkallëzim të ri ushtarak, pas kërcënimeve të fundit nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Populli iranian është i bashkuar dhe i vendosur për t’u përballur me çdo agresion ushtarak”, shkroi sot në platformën X zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi.
“Për ne, dorëzimi nuk ka asnjë kuptim. Ose do të dalim fitimtarë, ose do të bëhemi martirë.” shtoi ai.
Një ditë më parë, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kishin planifikuar sulme ushtarake kundër Iranit për ditën e sotme, por se ai kishte vendosur t’i anulonte për shkak se po zhvillohen “negociata serioze” për t’i dhënë fund konfliktit.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, presidenti Trump tha se disa udhëheqës të vendeve të Gjirit i kishin kërkuar të mos e ndërmerrte sulmin dhe se ai kishte pranuar kërkesën e tyre.
Më 28 shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit. Irani iu përgjigj me kundërsulme ndaj Iyrael dhe disa shteteve arabe të Gjirit që konsiderohen aleate të Uashingtonit.
Një armëpushim, i zgjatur së fundmi në mënyrë të njëanshme nga presidenti Trump, është në fuqi që nga fillimi i muajit prill. Megjithatë, përplasjet e herëpashershme ushtarake kanë kërcënuar vazhdimisht zbatimin e tij, ndërsa ende nuk ka përparim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit.
Mungesa e rezultateve në përpjekjet diplomatike ka shtuar frustrimin në Uashington dhe ka ushqyer pritshmëritë se operacionet e mëdha luftarake mund të rifillojnë së shpejti.


