Video/ Shkodër, ekzekutohen në makinë ish-polici dhe gruaja e tij

schedule08:27 - 15 Korrik, 2018

schedule 08:27 - 15 Korrik, 2018

Burrë e grua u ekzekutuan mëngjesin e sotëm në makinën e tyre. Aty ndodhej edhe fëmija e tyre i mitur, i cili ka shpëtuar dhe ndodhet në spital në kontrollin e mjekëve.

Një nga viktimat është ish-punonjës i policisë në Pukë, Boran Bercana, 30 vjeç, kurse viktima tjetër është bashkëjetuesja e tij, Silvi Ndoci. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Rruga e Gjerë” në lagjen “Naim Gjylbegu”.

“Dy persona janë vrarë në automjetin tip “Benz”me targa AA 006 HA këtu në lagjen “Naim Gjylbegu” të Shkodrës. Borhan Bercana sëbashku me bashkëshorten e tij, Silvi Ndoci, kanë mbetur të ekzekutuar në vend. Ndaj tyre është qëlluar 23 herë me armë zjarri automatik. Në automjetin e tyre ndodhej dhe djali i tyre rreth një vit, Boris, i cili ka shpëtuar pa asnjë lëndim. Ai tani ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal të Shkodrës. Nuk dihen se kush janë shkaqet dhe arsyet që  kanë çuar në këtë ekzekutim ku policia po heton dhe po merr në pyetje dëshmitarë, të cilët mund të kenë dijeni ose mund të kenë parë lëvizje gjatë natës  si dhe ka bërë sekuestrimin e disa kamerave të sigurisë të disa bizneseve këtu afër. Por sipas informacioneve është shumë e vështirë që të bëhet identifikimi i lëvizjeve që mund të kenë ndodhur gjatë orareve të pasmesnatës e deri tani”, raporton nga vendi i ngjarjes gazetari i ABC News, Simon Shkreli.

Nuk dihet ende saktësisht sa ka qenë ora, kur janë vrarë burrë e grua, pasi mjeti tip “Benz” me viktima brenda u pikas nga banorët rreth orës 6 të mëngjesit.

Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur 23 gëzhoja arme automatiku. Sipas policisë, vogëlushi ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Viktima Borhan Bercana vetëm pak kohë më parë është larguar nga radhët e policisë. Disa orë më vonë në hyrje të qytetit të Shkodres në by-pass u gjet një makinë e djegur brenda se cilës policia zbuloi një automatik të shkurtër. Policia po heton nëse ky është mjeti që kanë përdorur autorët apo jo. /abcnews.al