VIDEO/ Godina 15, shembet “selia” e protagonistëve të dhjetorit ‘90

schedule16:00 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 16:00 - 8 Dhjetor, 2019

Në Ditën e Rinisë, fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Territorit shemben godinën nr. 15 në Qytetin Studenti, e vlerësuar si e pabanueshme për shkak të dëmtimeve të tërmetit të 26 nëntorit. Kjo godinë konsiderohet si “selia” e parë e protagonistëve të dhjetorit ‘90, por edhe vendi ku u dakordësua emri i Partisë Demokratike. Robert Budina, një nga protagonistët e Lëvizjes së Dhjetorit thotë se me shembjen e kësaj godine është vrarë edhe demokracia. 

Të gjithë studentët e asaj periudhe e kujtojnë si selinë ku mblidheshin protagonistët e Lëvizjes Studentore, që soli pluralizmin në Shqipëri. Kjo godinë kishte një përzierje studentësh, që kryesisht për arsye politike, e kishin nisur me vonesë arsimin e lartë. Që prej 8 dhjetorit, kur nisi Lëvizja Studentore me kërkesa për drita e ujë, godina 15 u identifikua si qendër e rezistencës studentore.

Intelektualë të njohur të kohës si Sali Berisha, Arben Imami, Besnik Mustafaj, Gramoz Pashko, Elsa Ballauri etj, u bashkoheshin në këtë godinë Azem Hajdarit e Shenasi Ramës, që identifikoheshin si udhëheqësit e lëvizjes studentore. Pas protestës së 9 Dhjetorit para Liceut Artistik, kur policia ndaloi avancimin e studentëve drejt sheshit Skënderbej e pas goditjeve me shkopinj gome, nisi edhe një valë arrestimesh.  Pikërisht në godinën 15, policia e kërkoi gjatë Azem Hajdarin pasditen e 9 dhjetorit, pa arritur ta gjente dot. Robert Budina, një nga protagonistët e lëvizjes së dhjetorit, shpreh keq ardhje për prishjen e godinës simbol për demokracinë.

Në orët e para të mëngjesit të 12 dhjetorit, në godinën 15, një grup intelektualësh e studentësh, të mbledhur për të diskutuar krijimin e partisë së re, e emërtuan Partia Demokratike. Godina 15 konsiderohet si selia e parë ku u ngjiz puna për krijimin e PD, që u finalizua më tej në shtëpinë e Gramoz Pashkos.

Godina 15 mbart këtë simbolikë historike të krijimit të partisë që shenjoi pluralizmin politik, e nxitur nga Lëvizja Studentore, e që i hapi rrugë demokracisë në Shqipëri pas 46 vitesh diktaturë. Ndërkohë, sot pas 29 vitesh, Budina thotë se me shembjen e godinës, është vrarë edhe demokracia. “Eshtë një goditje ndaj sistemit. Shembja e godinës në këtë ditë është përgjigje e pushtetit komunist, me rrënjët e padukshme që godet demokracinë. Ajo godinë duhet të qendronte aty si simbol i fjalës së lirë”, u shpreh ai.

Godina 15 në Qytetin Studenti u shpall e pabanueshme pas dëmtimeve nga tërmeti. Në të kanë jetuar prej vitesh 30 familje, të cilat tashmë kanë mbetur të pastrehë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!