Saimir Tahiri ndodhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për verifikimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, të vendosur të shtunën për të. Ish-ministri i Brendshëm ka mbërritur në gjykatë rreth orës 11.00, i shoqëruar nga policia që e ka marrë në banesën e tij në lagjen “Kodra e Diellit”. Tahiri nuk ka dalë nga dera kryesore e pallatit ku e kanë pritur edhe mediat, por ka dalë nga garazhi, ku e priste makina e policisë.
Edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Saimir Tahiri ka hyrë nga hyrja e pasme, ndërsa para tij në gjykatë kishte mbërritur avokati i tij, Maks Haxhia.
Gjatë seancës që po vijon ende, prokurori Besim Hajdarmataj mësohet të jetë shprehur se organi i akuzës ka dyshime të bazuara në prova se Habilajt janë ndihmuar nga Tahiri në trafik narkotikësh. Ndërsa avokati i Tahirit, Maks Haxhia, e cilësoi vendim të pabazuar masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi sipas tij, nuk ekziston nevoja e sigurimit.
Masa e sigurisë “Arrest shtëpie” është vendosur të shtunën për Saimir Tahirin nga gjyqtarja Liliana Baku. Ndërsa prokuroria kishte kërkuar “arrest në burg”.
Kjo masë, sipas burimeve të ABC News nga organi i akuzës, është caktuar, bazuar në disa prova të reja të siguruara nga përgjigjet e letërporosive të dërguara nga autoritetet e drejtësisë në Itali dhe Greqi.
Por avokati i Tahirit pritet ta ankimojë në Apel vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda që e ka lënë që prej së shtunës pasdite në “arrest shtëpie”.