VIDEO/ PSG gëzon me Messin, Sheriff “trondit” Realin. Atletico përmbys Milanin

schedule23:00 - 28 Shtator, 2021

schedule 23:00 - 28 Shtator, 2021

Janë mbyllur ndeshjet e mbrëmjes së sotme të Champions League. PSG ka arritur të fitojë duelin ndaj Manchester Cityn në ndeshjen mes klubeve të sheikëve në “Parc de Princes”. Fillimisht francezët tundën rrjetën me Idrissa Gueye në minutën e tetë.

Më pas Manchester City ishte skuadra dominuese në lojë, por ndërhyrjet e Donnarumma dhe mbrojtjes franceze mbajtën portën e pastër. Ndërkohë që City kërkonte rrjetën e barazimit, një kundërsulm në të 74-tën ishte “vrastar” për ta. Ky moment do jetë i paharrueshëm sepse autor i rrjetës është Lionel Messi.

Argjentinasi nisi një aksion dhe e vazhdoi me kombinime me Mbappe, i cili me një pasim me thembër nxori në pozicionin e duhur argjentinasin. Messi me të majtën e tij të artë e dërgoi topin në cepin më të largët të Ederson, duke shënuar kështu golin e tij të parë me PSG në minutën e 74-t.

Ndërkohë, befasinë e madhe e bëri Sheriff Tiraspol në “Santiago Bernabeu”. Moldavët arritën të fitojnë ndaj Real Madrid me shifrat 1-2. Ditë historike për ta, ndërkohë që kjo fitore i dërgon në vendin e parë në grup me 6 pikë dhe komplikon renditjen.

Milani shënoi i pari, mori karton të kuq e në fund u përmbys me shifrat 1-2 nga Atletico Madrid në “San Siro”, duke i dhënë një goditje të rëndë kuqezinjve. Leao i kaloi vendasit në avantazh në minutën e 20-të, teksa Kessie mori të verdhin e dytë në minutën e 29 dhe u përjashtua.

Goli i barazimit për Los Colchoneros u shënua vonë, në të 84-tën. Antoine Griezmann tundi rrjetën dhe shënoi golin e parë në këtë rikthim në Madrid, pas aventurës “gri” te Barça. Në fund Luis Suarez tundi rrjetën me penallti dhe vulosi ndeshjen.

Në betejat e tjera, Liverpool ishte i papërmbajtshëm ndaj Portos në Portugali, duke e mundur 1-5. Ndërkohë, Leipzig u surprizua nga Club Brugge në shtëpi. Belgët arritën të fitojnë me shifrat 1-2, pas një ndeshje plot me episode, me VAR  që anuloi dy gola, nga një për dy ekipet. Gjermania tjetër, Borussia Dortmund, nuk gaboi ndaj Sporting Lisbona dhe fitoi minimalist me gol të Donyell Malen në të 37-ën./abcnews.al