VIDEO/ Përfundon epoka e Lomachenko, Teofimo Lopez mahnit botën e boksit

schedule08:13 - 18 Tetor, 2020

schedule 08:13 - 18 Tetor, 2020

Boksi i peshave të lehta (deri në 61.2 kg) ka për herë të parë një kampion të vetëm. Teofimo Lopez, i riu nga Brooklyn, New York, është njeriu i momentit.

Boksieri 23-vjeçar befasoi ekspertë dhe tifozë me një paraqitje fantastike ndaj ukrainasit Vasily Lomachenko.

Në fund të 12 raundeve emocionuese, për gjyqtarët e duelit nuk kishte dyshime. Të tre kartat e pikëve anonin në favor të të riut amerikan: 117-111, 119-109, 116-112.

Me këtë fitore që pak e prisnin, Lopez i dha fund dominimit shumëvjeçar të 32-vjeçarit Lomachenko, si dhe i mori këtij të fundit 3 titujt kampion bote, WBC, WBO dhe WBA.

 

Tre brezat e sapofituar i bashkohen dhe titullit të konfederatës IBF të Lopez. Tanimë, divizioni i peshave të lehta ka vetëm një “sundues” legjitim, diçka kjo tepër e rrallë në boksin e pasviteve 2000.

Rrjetet sociale kanë vërshuar me përgëzime për arritjen e boksierit amerikan. Ndër emrat që kanë uruar Lopez kanë qenë legjenda të sportit si Mike Tyson, Manny Pacquiao dhe Saul “Canelo” Alvarez. /abcnews.al