Arrihet të vihet nën kontroll, zjarri që përfshiu disa magazina me mallra industriale në rrugën “Siri Kodra”, në kryeqytet. Zjarri i rënë rreth orës 19:30 të së hënës, vuri në rrezik edhe disa banesa që gjendeshin pranë këtyre magazinave.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrfikëses, të cilët punuan për disa orë për fikjen e zjarrit.
Flakët e rëna në magazinën e mallrave industriale kanë qenë jo pak agressive edhe për shkak se brenda tyre ka patur një sasi të konsiderueshme me material të llojit polisterol, shumë i ndjeshëm nga zjarri.
Dëmet materiale mbeten akoma të pallogaritshme, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të rënies së zjarrit. Dyshimet paraprake janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndije elektrike./abcnews.al