VIDEO/ Lukaku-Lautaro “flakë”, vjen fitorja e tetë radhazi për Interin

schedule16:57 - 14 Mars, 2021

schedule 16:57 - 14 Mars, 2021

Vjen fitorja e tetë radhazi në kampionat për Interin, Parma thyen Romën dhe siguron një trepikësh të rëndësishëm për mbijetesën, ndërsa Leicester City triumfon me “manita” në Premier League. Interi ia del të thyejë 1-2 Torinon që po lufton për mbijetesën dhe vazhdon të marshojë drejt titullit.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht dominimit të ekipit udhëtues. Pjesa e dytë ishte më e bukur dhe emocionuese. Lautaro Martinez fitoi një penallti në minutën e 62-të dhe Romelu Lukaku nuk gaboi nga pika e bardhë. Topi në rrjetë dhe goli i 19-të sezonal në Serie A për bomberin belg.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe u hodhën në sulm. Tetë minuta zgjati avantazhi i Interit, pasi Antonio Sanabria ndëshkoi Samir Handanovic. Sulmuesi paraguaian përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë. Interi reagoi dhe shënoi sërish 5 minuta përpara fundit të takimit.

Kros i bukur i Alexis Sanchez dhe finalizim edhe më i bukur i Lautaro Martinez. Sulmuesi argjentinas fitoi duelin ajror me dy lojtarë të Torinos dhe dërgoi topin në rrjetë. Interi numëron 65 pikë, nëntë më shumë se Milani që pret Napolin në “San Siro” sonte në mbrëmje.

Parma shënoi nga një gol për pjesë, fitoi 2-0 në “Tardini” kundër Romës dhe mori 3 pikë tepër të rëndësishme për objektivin mbijetesë. Rumuni Mihaila zhbllokoi takimin në minutën e nëntë, ndërsa Hernani mbylli llogaritë me një penallti të kthyer në gol (55′).

Marash Kumbulla e nisi ndeshjen si titullar, por u zëvendësua pas një ore lojë. Sfida e drekës me Bologna dhe Sampdorias, përfundoi 3-1. Feston edhe Leicester City në ishull. “Dhelprat” shkatërruan 5-0 në fushën e tyre Sheffield United e vendit të fundit dhe tani e shohin vetën në vend të dytë në Premier League.

Nigeriani Kelechi Iheanacho realizoi një tregolësh, teksa suksesi me “manita” u kompletua nga rrjeta e Perez dhe autogoli i Ampadu. Leicester City synon kualifikimin në Champions League dhe ndodhet në rrugën e duhur, teksa Sheffield mbetet i fundit me vetëm 14 pikë. /abcnews.al