VIDEO/ Lukaku-Eriksen kualifikojnë Interin, United fiton sërish ndaj LASK

schedule22:56 - 5 Gusht, 2020

schedule 22:56 - 5 Gusht, 2020

Interi shënoi nga një gol për pjesë, mposhti 2-0 Getafen në “Veltins Arena”, stadiumin e Schalke 04, dhe u kualifikua në çerekfinalet e Europa League, aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Bayer Leverkusen-Rangers.

Minuta e 33-të solli golin e parë. Romelu Lukaku mori një asist nga Bastoni dhe mposhti portierin e skuadrës madrilene me një diagonale të saktë. Goli i qetësisë erdhi shtatë minuta përpara fundit të ndeshjes. Mbrojtja e Getafes nuk largoi siç duhej një top dhe Christian Eriksen përfitoi duke e dërguar në rrjetë nga brenda zonës.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Manchester United mposhti 2-1 në “Old Trafford” austriakët e LASK Linz. “Djajtë e Kuq” kishin fituar 0-5 sfidën e parë dhe tani do të përballen me Copenhagen në çerekfinale.

Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të. Mbrojtësi Wiesinger lëshoi një “predhë” që përfundoi në trekëndësh, por vendasit reaguan shpejt.

Jesse Lingard mori një top nga Juan  Mata dy minuta më pas, iu shkëput mbrojtjes së LASK dhe nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetë. Golin e fitores e realizoi Anthony Martial në minutën e 88-të.

Sërish asist i spanjollit Mata dhe francezi, pasi lëvizi bukur brenda zonës kundërshtare, mposhti portierin e Lask, duke i dhuruar triumfin e dytë ekipit të tij. /abcnews.al

Europa League, raundi i 1/8
Inter-Getafe 2-0
(Lukaku 33′, Eriksen 83′)

Manchester United-LASK Linz 2-1
(Lingard 57′, Martial 88′ / Wiesinger 55′)