VIDEO/”Largohu nga këtu!” 42-vjeçari mbetet i plagosur në përballje me grabitësin

schedule21:32 - 10 Shkurt, 2020

schedule 21:32 - 10 Shkurt, 2020

Rexhep Tereziu 42-vjeç, banor i lagjes nr. 13, zona e plazhit në Durrës, mbeti i plagosur në këmbë mbrëmjen e sotme.  Gazetari i Abc News, Leonidha Musaj ka mësuar nga burimet policore se 42-vjeçari është qëlluar me armë nga një grabitës i maskuar dhe i armatosur.

Rexhep Tereziu ka dëgjuar zhurmë tek shtëpia dhe ka dalë menjëherë në oborr për të parë se çfarë po ndodh. Ai është përballur me një person të armatosur që kishte shkuar për të grabitur. 42-vjeçari i ka kërkuar të largohet, por grabitësi ka qëlluar dy herë në ajër dhe 1 herë drejt personit, duke e lënë të plagosur në këmbën e djathtë.

Aktualisht Tereziu është i shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia e Durrësit ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për kapjen e autorit.

Njoftimi i policisë

Më datë 10.02.2020, rreth orës 20:30, në lagjen Nr.13 Plazh, një person ende i paidentifikuar, ka hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit R.T.

Në tentativë për të vjedhur por që është diktuar nga të zotët e banesës, personi ka plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën të zotin e banesës shtetasin R.T, 42 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Personi nuk ka mundur të kryejë vjedhjen por është larguar me shpejtësi.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit

Janë ngritur pika kontrolli dhe me lëvizje për të kontrolluar dhe identifikuar personat e dyshuar

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po administron çdo provë sado të vlefshme që do ti shërbejnë zbardhjes së ngjarjes, identifikimit dhe kapjes së autorit./abcnews.al

*Pamjet nga vendi i ngjarjes

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!