VIDEO/ Kanabisi, reformat, ambasadorja dhe pritshmeritë amerikane-Politika në Abc News

schedule14:09 - 1 Shkurt, 2020

schedule 14:09 - 1 Shkurt, 2020

Mbërritja në Tiranë e ambasadores së re të SHBA ka riaktivizuar pritshmëritë publike për rezultate në sfidat që vendi ka prej vitesh: një drejtësi që vepron njëlloj për të gjithë, si dhe rezultate në luftën ndaj krimit e korrupsionit.

Prej 27 Janarit, nisi detyrën ambasadorja e tretë grua e SHBA, në tre dekada pluralizëm. Politika amerikane ndaj Shqipërisë mbetet e pandryshuar.

Aktorët politikë në Tiranë i gjen të paqëtuar, me shkak publik reformën zgjedhore, pas një viti krize politike e institucionale. Shefi i opozitës flet për zgjedhje të parakohshme, ndërsa KM teston ndikimin e padiskutueshëm jo vetëm në parlament.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

2020-a duket viti i testimit të rezultateve të Reformës në Drejtësi. Për investimin e tyre, SHBA e BE, kanë pritshmëri imediate. I kujtoi ambasadorja e re amerikane, që në nisje të detyrës.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe një sistem ku secili duhet të respektojë të njëjtat rregulla. Pres me kënaqësi të mbështes udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë – por absolutisht të nevojshëm – për të zbatuar reformën në drejtësi, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar”, tha ajo.

Në të njëjtën ditë, një nga dosjet e nxehta të zgjedhjeve, ajo 184, u shfaq pa zot. Prokuroria e posaçme kundër krimit e korrupsionit SPAK, një strukturë e mbështetur edhe financiarisht nga SHBA, shpalli moskompetencën për dosjen e zgjedhjeve të Dibrës dhe e riktheu tek prokuroria e këtij rrethi, edhe pse kjo e fundit kishte shpallur 5 ditë më herët, më 22 janar moskompetencën, duke e dërguar në SPAK.

Dosja 184 përmban audiopërgjime të eksponentëve më të lartë socialistë, nga kryeministri, tek ministra, deputetë, zyrtarë vendorë dhe të policisë lokale.

Në kulmin e krizës politike, qershorin e kaluar tabloidi gjerman Bild publikoi disa audiopërgjime, ku flitej për sigurim votash për fitoren e kandidatit socialist në zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Dibër në shtator 2016.

Cështja ishte regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të rënda që atë vit.

Pas dy vite deklaratash e inicim hetimi për nxjerrje sekreti për shkak të publikimeve nga Bild, prokuroria për krime të rënda, pas hetimit e zbardhjes së transkriptimit të përgjimeve, ndryshoi cilësimin juridik të veprës penale nga forma e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”, e për pasojë shpalli moskompetencën lëndore për atë dosje.

Dosja iu kalua në prokurorinë e Dibrës, e cila 4 muaj më vonë në 22 janar shpalli gjithashtu moskompetencë duke e dërguar në SPAK. Ky i fundit e bazon moskompetencën tek mungesa e një specifikimi për krim elektoral në legjislacionin e punës së tij, edhe pse neni 75 i Kodit Penal mbi kompetencat e prokurorisë e gjykatës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, parashikon si objekt edhe zyrtarët më të lartë në vend.

Rikthimi në Dibër i dosjes 184 për opozitën është një vendim që minon besimin e publikut tek reforma në drejtësi. Ligji për SPAK është i vetmi i votuar edhe nga opozita në 2016-ën në kuvend e madje më i votuari, me 122 vota pro….

Më poshtë ju ftojmë të ndiqni të plotë emisionin “Politika në Abc News” të gazetares Mimoza Koçiu ku trajtohen gjerësisht akuzat për rritje të sipërfaqes së mbjellë me kanabis, çështje të blerjes së votës dhe dosja 184, paketa e shumëpërfolur Anti-KÇK, etj:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!