Një furgon me efektivë të policisë nga Tirana kanë marrë në siguri shtëpinë e Xhisiela Malokut. Përforcimet u vendosën pas shpërthimit të tritolit tek të afërmit e denoncueses së djalit të deputetit Rexhep Rraja.
Ky furgon policie mbërriti natën në hyrje të shtëpisë së Xhisiela Malokut në Larushk të Krujës. Janë më shumë se dy punonjës të Forcave Speciale që qëndrojnë te porta dhe kontrollojnë gjithë territorin.
Banesa e vajzës që denoncoi djalin e deputetit, Rexhep Rrajen, por që më pas u tërhoq nga padia duke thënë se merr përsipër çdo përgjegjësi është blinduar.
Një masë e tillë sigurie u vendos pasi në oborrin e të afërmve të 25-vjeçares shpërtheu një sasi e vogël tritoli.
Vetë Maloku pas ngjarjes tha se do të pranonte mbrojtjen e policisë pasi tani ndjehej vërtet e kërcënuar. Ajo u deklaroi gazetarëve që tritoli ishte vendosur nga PD dhe opozita.
Ndërkohe ish i dashuri i saj, i cili është akuzuar për përndjekje ndaj Malokut ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në qelitë e paraburgimit të Durrësit./abcnews.al