Real Madrid është shumë pranë hakmarrjes së sezonit të kaluar, pasi e mundi me rezultatin 3-1 Chelsea në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League dhe është shumë pranë kualifikimit. Po sonte luajti edhe Bayern Munich, që e pësoi 0-1 nga Villareal.
Karim Benzema po përjeton një moment fantastik dhe këtë e vuajti edhe Chelsea, që për tre minuta pësoi dy gola. Francezi me dy goditje me kokë i shtangu londinezët.
Chelsea u mundua të reagonte dhe ia doli, pasi në minutën e 40-të Havertz shënoi me një goditje me kokë. Pjesa e dytë pritej ndryshe, por jo. Gjithçka nisi me një gafë.
Edoardo Mendy pasoi gabim dhe më pas pa Benzema të shënonte golin e tretë në portën e tij të boshatisur. 3-1, ndërkohë që Courtouis u bë shpëtimtar pas një predhe të Azpilicueta.
Villareal i tregoi edhe Bayern Munich që nuk ka ardhur kot në çerekfinalet e Champions League, duke shënuar që në minutën e tetë me anë të Danjuma.
Coquelin në minutën e 41-të shënoi edhe të dytin, por VAR i shpëtoi bavarezët. Skuadra e Nagelsmann po dominonte në territor, por Villareal u mbrojt mirë dhe e mbrojti deri në fund golin e Danjuma. /abcnews.al/