Të njëjtin fat ka patur edhe anëtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i cili u shkarkua sot nga detyra nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“Të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit Tom Ndreca”.
Ky ishte vendimi i dhënë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në lidhje me anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca. Kontrolli i Ndrecës u bazua vetëm në kriterin e figurës dhe pasurisë.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte përcjellë dy raporte për gjyqtarin. Në të parin, ai vlerësohej i përshtatshëm për sistemin, por i dyti fliste për një kontakt të papërshtatshëm të tij me një person të përfshirë në krimin e organizuar që lidhen me kunatin e tij.
Megjithëse dyshimet ndaj kunatit të gjyqtarit ishin zeruar nga Prokuroria e Shkodrës, Komisioni tha se gjyqtari Ndreca ka bërë deklarim të pasaktë në deklaratën e Vettingut, pasi nuk e ka pohuar këtë kontakt të papërshtatshëm.
Vetë Ndreca në seancën dëgjimore të zhvilluar të premten e kaluar tha se kishte dijeni për procedimin e kunatit, por shtoi se ai nuk kishte pasur ndonjëherë cilësinë e të pandehurit, pasi hetimi është pushuar. Sa i përkiste pasurisë, nga hetimi i thelluar administrativ kishte rezultuar se gjyqtari zotëronte dy apartamente dhe një garazh në Tiranë, një apartament në Golem, dy depozita bankare të familjarëve dhe llogari rrjedhëse dhe kursime cash.
Por teksa nuk kishte gjetur parregullsi në këto pasuri, KPK pretendoi se gjyqtari kishte lënë pa deklaruar një shumë prej 1.5 milionë dhe 100 mijë lekë lekë likuiditet të anëtarëve të familjes dhe një automjet të djalit./abcnews.al

