Vettingu në polici, Gardë dhe SHÇBA, tre kritere vlerësimi dhe tre faza zhvillimi

schedule19:31 - 27 Dhjetor, 2017

schedule 19:31 - 27 Dhjetor, 2017

Punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Cështjeve të Brendshme dhe Ankesave, për të ruajtur vendin e punës duhet të kalojnë tre kritere bazë vlerësimi. Detaje të projketligjit për Vettingun u publikuan në një tryezë diskutimi me përfaqësues të legjislativit, agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë civile.

Integriteti, pasuria dhe profesionalizmi.
Janë këto tre kriteret mbi bazën e të cilave do të vlerësohet çdo punonjës policie vënien në zbatim të projektligjit për “Vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”.
Detajet i prezantoi në një tryezë konsultimi me përfaqësues të legjislativit, agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë civile, zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj.
Komisionet që do të kryejnë Vettingun procesin do ta zhvillojnë me tre faza.

“Janë rreth 300 punonjës që kanë funksione me grada të larta që vlerësohen në fazë të parë. Rreth 2500-3000 punonjës me funksione si grada të mesme, që vlerësohen në fazën e dytë dhe rreth 9 mijë punonjës të nivelit zbatues që vlerësohen në fazë të fundit. Presupozohet që në fazën e pare, ata 300 punonjës me grada dhe funksione të larta të vlerësohen nga një Komision i Jashtëm Vlerësimi, i përbërë nga 15 anëtarë me prejardhje të ndryshme. Një herë që mbaron kjo fazë, ky organ, pra komisioni i jashtëm i vlerësimit pushon së egzistuari dhe krijohet një organ i dytë vlerësimi për fazën e dytë, ku përveç 15 anëtarëve të komisionit të fazës së parë, rekurtohen edhe 30 anëtarë, shtesë që janë nga punonjësit të cilët e kanë kaluar vlerësimin me sukses në fazën e parë. Dhe kështu me radhë. Kur arrijmë te faza e tretë komisioni i fazës së dytë pushon së egzistuari dhe krijohet një komision tjetër, i madh gjithmonë, me 135 anëtarë, ku 90 anëtarë shtesë, pra 45 të fazës së dytë plus 90 anëtarë shtesë, rekrutohen gjithmonë nga punonjësit që kanë kaluar me sukses vlerësimin në fazën e dytë”.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, theksin e vurit tek paanshmëria e komisioneve të vlerësimit.

“Pritshmëria e këtij procesi nuk konsiston vetëm në faktin se disa individë që nuk meritojnë nuk do të jenë më, se sa fakti se ata që janë shumica që do të mbeten në organizatë do të kenë besueshmërinë e nevojshme, por do të kenë edhe motivin e nevojshëm për të shërbyer në përbërje të kësaj organizate në zbatim të Kushtetutës, të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”.

Sugjerime erdhën edhe nga shoqëria civile.
Besar Likmeta, gazetar i BIRN, vurin në dukjen nevojën për një strategji të qartë komunikimi për publikun dhe përfshirjen e Shoqërisë Civile si monitoruese e jashtme e procesit.
Ndërsa Sotiraq Hroni, një aktivist prej 2 dekadash në fushën e sigurisë e vlerësoi si pozitive nismën.

Pas konsultimit të gjerë public, në muajin janar të vitit 2018 projektligji pritet të miratohet në në qeveri dhe më pas të kalojë në Kuvend./abcnews.al

Gazetare e ABC News: Ajgena Korbi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!