Vettingu, KPK zhvillon seancën e parë/Gjyqtari Lulo: Pasuria ime, e ligjshme

schedule16:51 - 21 Mars, 2018

schedule 16:51 - 21 Mars, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të mërkurën seancën e parë dëgjimore për llogari të procesit të vettingut, që i përkiste anëtarit të Kushtetueses, Fatos Lulo. Përmes avokaktit të tij, Lulo mohoi pretendimet e ILDKPI-së për burime financiare të paligjshme dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Në këtë mënyrë nisi seanca e parë e dëgjesave publike ndaj gjyqtarëve që po i nënshtrohen procesit të vettingut. I pari që u ftua të dalë para një trupe gjykuese të  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nga gjyqtarët dhe prokurorët që po vetohen me përparësi ishte anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Gjyqtari nuk ishte prezent në seancë, ku u përfaqësua nga avokati i tij, Ardian Visha.

Duke cituar raportin e përcjellë në KPK nga ana e ILDKPI-së, relatorja Etleda Çiftja tha se për subjetin e rivlerësimit Fatos Lulo ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Ndërkohë që nga pikëpamja e integritetit të figurës dhe aftësive profesionale KPK nuk ka ngritur asnjë dyshim ndaj anëtarit të Kushtetueses.

Avokati Visha, mohoi pretendimet e ILDKP-i. Sipas mbrojtësit, Lulo ka qenë subjekt që ka deklaruar pasurinë për 14 vite me radhë dhe në asnjë rast nuk është konstatuar ndonjë problematikë.

Visha tha se gjyqtari Lulo e ka siguruar pasurinë e deklaruar para viteve 2000, kur ai ka ushtruar profesionin e avokatit. “Zyra e avokatisë së Fatos Lulos ka qenë bashkë me avokatët Kleanthi Kocci dhe Stavri Ccecco, emra të shquar në fushën e jurisprudencës shqiptare, çka përbën provë të suksesit profesional”, tha Visha. Mbrojtësi shpjegoi se Lulo ka paguar detyrimet në organet tatimore, për të cilat zotëron librezë. Por sipas tij, në përgjigjen që i kanë kthyer KPK-së për rastin Tatimet kanë pohuar se nuk disponojnë dokumentacionin para vitit 2004.

Gjatë punës së tij si gjyqtar Lulo ka shtuar vetëm dy pasuri jashtë mundësive të tij financiare, pretendoi avokati. Ato janë 100 mijë dollarë për shkollimin e fëmijëve dhe një zyrë në rrugën e Durrësit, dhurata të bëra nga motra e tij, e cila zotëron 1/3 e fitimeve të një shoqërie ndërtimi.

Në lidhje me një shifër prej 480 mijë dollarësh, Visha saktësoi se këtë shumë gjyqtari ia ka huajtur motrës me qëllim blerjen e një shtëpi dhe ngritjen e një biznesi në Kanada në vitin 2000. Por, ndonëse ka prenotuar një banesë, ai ka hequr dorë nga ky plan dhe ia ka kthyer paratë familjares së tij.

Pasi administroi provat e paraqitura nga avokati Visha, deklaratat vjetore tatimore të motrës së gjyqtarit Lulo, trupi gjykues ndërpreu seancën për në 23 mars ora 11:00, ku pritet të shpallë vendimin. /abcnews.al