Vetingu në polici, peng i institucioneve

schedule17:46 - 29 Prill, 2021

schedule 17:46 - 29 Prill, 2021

Prej gati dy muaj asnjë punonjës policie nuk ka dalë para komisionit të Vetingut.

Ketë proces po e mban peng mosbashkëpunimi mes institucioneve dhe ndryshimi  i ligjit. Procesi i Vettingut të policisë, Gardës së Republikës dhe SHCBA-së duket se ka ngecur në ngërç, ndaj edhe seancat kanë vijuar me ritëm të ngadaltë.

Arsyet kanë qenë disa. Sipas komisionit që kalon në filtër uniformat blu, problemet kanë nisur që me dëmtimin e godinës nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.

Në këtë aspekt ka qenë e pamundur që të administroheshin informacionet e klasifikuara sekret, pasi ajo duhet të bëhej në ambiente me kasafortë sigurie. Problematikë është hasur edhe për kontrollin e figurës së një subjekti, si dhe me raportet e ILDKPKI-së për deklarimin e pasurisë.

Sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, shumë institucione nuk e kanë kuptuar rëndësinë e procesit, ndërsa është dashur që të kërkohet informacion për disa herë radhazi. Vështirësi është hasur nga prokuroritë e rretheve që kanë vonuar në kthimin e përgjigjeve.

Seanca e parë e procesit është mbajtur në nëntor të 2019-ës dhe që prej nisjes së saj, ligji për Vettingun në polici ka ndryshuar 3 herë. Propozimi më i fundit ishte ai i disa deputetëve të Kuvendit. Ata kërkuan që pezullimin e Vettingut në polici dhe në filtër fillimisht të kalonin punonjësit e SHÇBA-së.

Ky propozim kaloi në Kuvend dhe mori votat e nevojshme, por Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ktheu këtë ligj përmes një dekreti. Kthimi u bë në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë kishte mbyllur punimet për shkak të zgjedhjeve të 25 prillit. Tashmë kjo gjë ka bërë që kthimi i projektligjit të mbajë pezull vijimësinë e Vettingut, për të parë nëse Kuvendi do të rrëzoj ose jo dekretin e Metës.

 /abcnews.al/