ROMË- 80 vite Vespa. Këto pamje mahnitëse vijnë nga Roma ku mbi 10 mijë qytetarë morën vespat e tyre për të parakaluar në Kryeqytetin Italian për të festuar 80-vjetorin e markës ikonike.
Adhurues të skuterave Vespa u mblodhën nga vende të ndryshme të botës për të nderuar një simbol që për shumë njerëz mbetet i përjetshëm. Ata parakaluan pranë Koloseut dhe Forumit Romak, duke krijuar një atmosferë festive dhe spektakolare.
Festimet për 80 vjetorin e Vespas kishin nisur që prej të enjtes, kur në Romë filluan të mbërrinin mijëra entuziastë të markës.
Adhuruesit e Vespa-s theksuan se marka vazhdon të ushqehet nga nostalgjia për Italinë e viteve ’50 dhe ’60, duke tërhequr edhe breza që nuk e kanë jetuar atë periudhë. Shumë prej tyre treguan se kanë zëvendësuar motoçikletat e mëdha me Vespa për shkak të komoditetit, peshës më të lehtë dhe përdorimit të thjeshtë.
Vespa u bë e famshme në mbarë botën pas filmit “Roman Holiday” të vitit 1953, ku Gregory Peck dhe Audrey Hepburn shëtisnin nëpër Romë me skuterin legjendar. Më pas, ajo u shfaq edhe në filma të tjerë të njohur, si “The Talented Mr. Ripley” dhe filmi i animuar “Luca”.
Me linjat e saj karakteristike dhe dizajnin elegant, Vespa – që në italisht do të thotë “grerëz” – konsiderohet për skuterët ajo që Volkswagen Beetle përfaqëson për automjete: një ikonë e vërtetë e një epoke.
Historia e saj nisi pas Luftës së Dytë Botërore, kur kompania italiane Piaggio, e njohur deri atëherë për prodhimin në industrinë ajrore, u detyrua të ndryshojë drejtim pasi fabrikat e saj u shkatërruan nga bombardimet. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte prodhimi masiv i skuterëve Vespa, të cilët kontribuuan ndjeshëm në rimëkëmbjen ekonomike të Italisë.



