Veseli letër Tiranës: Na ktheni eshtrat e Hasan Prishtinës

schedule12:15 - 14 Gusht, 2018

schedule 12:15 - 14 Gusht, 2018

Kryetari i parlamentit të Kosovës Kadri Veseli,i ka dërguar një letër zyrtare Tiranës. Ai kërkon zyrtarisht dorëzimin e eshtrave të Hasan Prishtinës, për t’u varrosur në Kosovë.

Kadri Veseli, kryetari i parlamentit të Kosovës, deklaroi se me rastin e 85 vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, ka kërkuar që eshtrat e tij të sillen në Kosovë. Veseli tha se eshtrat e Hasan Prishtinës duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi. Ai theksoi se Hasan Prishtina, është heroi i madh të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelues i Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës.

“Në këtë vit të nderimit kombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, dhe në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kam marrë iniciativën që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosën në Prishtinë, në vendin ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë”, shkruan ndër të tjera Veseli në letrën zyrtare dërguar autoriteteve në Shqipëri.
“Kosova nuk i harron bijtë e vet, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat”, përfundoi Veseli./abcnews.al