Herceptina, ilaçi jetik për të sëmurët me kanceri gjiri do të jepet falas. Vendimin qeveria e ka marrë në mbledhjen që zhvilloi në Fier. Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat njoftoi disa prej vendimeve më të rëndësishme.
Është i kënaqur me diellin që ka gjetur në Fier.
“Po ashtu më erdhi shumë mirë që në hyrje në Fier me një diell të bukur mund të shihej gjithë transformimi i jashtëzakonshëm i qytetit në këto thuajse 3 vitet e fundit, pas ndryshimit që solli vota në Bashkinë e Fierit”.
Nuk është vetëm. Ka dhe qeverinë nga pas për të bërë mbledhjen e radhës gjatë kësaj fundjave jashtë kryeqytetit. Një ndër vendimet e marra është një lajm i mirë për të sëmurët nga kanceri i gjirit.
“Përveç 36 barnave të reja që do rimbursdohen nga shteti për gjithë njerëzit në nevojë, do të përfshihet edhe Herceptina një medikament jetik në trajtimin e kancerit, shumë i shtrenjtë dhe shumë problematik, tani do përfitohet tërësisht falas”.
Ndërsa fermerëve i bën apel të bashkohen pasi kështu do të përfitojnë zerimin e TVSH-së.
“Bashkohuni, sepse është në interesin e çdo fermeri që të bashkohen dhe në interesin e ekonomisë së tyre dhe interesin e ekonomisë kombëtare”-deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama premtoi se shumë shpejt do të nisë puna për përfundimin e bypass-it të Fierit dhe rrugës Fier-Seman.Zgjidhje do ti jepet edhe menaxhimit të mbetjeve nëpërmjet ndërtimit të inceneratorit.
Qeveria vendosi gjithashtu që TVSH të jetë 6 % për investimet në agroturizëm.
“Agro-turizmi është një fushë me potenciale të mëdha nga veri në jug të Shqipërisë dhe për këtë do të ketë ulje në 6 për qind e TVSH për të gjithë ata që do të ndërmarrin nisma në agroturizëm”, tha Kryeministri./abcnews.al