Nga fushat e Lezhës drejt detit të trazuar, historia e Paulin Nikolli duket më shumë si një film sesa si jetë reale. I lidhur drejtpërdrejt nga Franca për ABC-në e mëngjesit, artisti lezhjan rrëfen një rrugëtim të mbushur me rrezik, pasion dhe një vendosmëri që nuk u thye kurrë.
Arratisja e parë në vitin 1991 drejt Greqisë nuk shkoi siç e kishte menduar: u kap dhe u mbajt ushtar për 100 ditë. Por ai nuk u dorëzua. Me rroba ushtari, ia doli të kalonte kufirin dhe të niste një jetë të re. Greqia u bë stacioni i parë, ku për 6 vite punoi në plazhe, derisa një takim i rastësishëm me një piktore greke do t’i ndryshonte rrjedhën e jetës.
Italia ishte ëndrra, por Franca u bë destinacioni. Një tjetër arratisje, këtë herë me skaf nga Vlora drejt Italisë, e më pas një ndalesë në Nicë, ku edhe pse u përball me policinë, fati ishte në anën e tij. Që prej atij momenti, Franca u kthye në shtëpinë e tij dhe arti në identitet.
Paulin Nikolli nuk ka ndjekur shkollë arti, por talentin e trashëguar nga familja e ka kthyer në mbi 350 vepra të shpërndara në të gjithë botën. Për 30 vite, ai ka pikturuar pa u ndalur, shpesh në rrugë, aty ku arti takon publikun drejtpërdrejt.
Kulmi? Një ditë e zakonshme në Nicë u kthye në një moment historik kur dy gazetarë të The New York Times e zbuluan rastësisht dhe i dedikuan një shkrim. Brenda pak orësh, telefoni i tij shpërtheu nga telefonatat nga e gjithë bota.
Por rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ka pasur përplasje me autoritetet për ekspozimin e pikturave në rrugë, madje edhe sekuestrime të dhunshme. Megjithatë, si në çdo kapitull të jetës së tij, ai ia ka dalë të triumfojë./abcnews.al


