Vendgrumbullimi i Porto Romanos , vrasësi i “heshtur” i banorëve të Durrësit

schedule15:55 - 6 Qershor, 2018

schedule 15:55 - 6 Qershor, 2018

ABC News ka realizuar një reportazh në zonën më të ndotur të Durrësit që është vendgrumbullimi i mbetjeve të Porto Romanos. Një katastrofë mjedisore fare pranë mijëra banorëve, i cili çdo ditë u rrezikon jetën nga helmet. Përballë kësaj “bombe me sahat”,  Bashkia e Durrësit është dorëzuar pasi puna e saj ka mbetur tek projektet në mungese të fondeve.  

Këtu ndodhemi në veri të Durrësit. ABC News ka filmuar me dron vendgrumbullimin e Porto Romanos. Katastrofa mjedisore që bashkëjeton me durrsakët dhe jo vetëm.

Mbeturinat janë shpërndarë pa kontroll. 4 kilometra nga qendra e qytetit turistik, tonelata mbetjesh shkarkohen çdo ditë në këtë terren të hapur.

Hapësira prej 17 hektarësh nuk plotëson asnjë kriter. Askush nuk është kujdesur për rrethimin e zonës. Këtu familje në nevojë punojnë në mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme.

Ndërsa të tjerë e shfrytëzojnë për të ushqyer edhe kafshët. Gjendja mbetet alarmante. Mbi 45 mijë banorë po thithin çdo ditë dioksidin e karbonit, i cili përhapet në ajër nga asgjesimi i mbeturinave me anë të djegies.

Era e keqe dhe niveli i lartë i ndotjes është shqetësimi kryesore për banorët e Porto Romanos. Sëmundjet e provokuara nga helmet kanë nisur të shfaqen.

Banorët thonë se po marrin fund.    Të prekura nga kjo situatë janë edhe institucionet arsimore, të cilat gjenden fare pranë vendgrumbullimit.

Nxënës të shkollës  9-vjeçare “Met Hasa”, por edhe studentë të kampusit të ri universitar, përveçse dijes, marrin edhe ndotjen që shkaktohet nga ky masiv mbetjesh.

Çdo vit në këtë hapësirë, e cila shërben për grumbullimin e mbeturinave të 3 bashkive, Durrës, Shijak dhe Kavajë, shkarkohen mbi 70 mijë tonë mbetje.

Puna e Bashkise së Durrësit ka mbetur tek konstatimi i fakteve dhe hartimi i projekteve. Jashtë kamerave ata thonë për ABC News se janë financiarisht të pafuqishëm për të ngritur një landfill. Pretendimi tjetër i bashkisë është se nuk kanë një terren të përshtatshëm.

Institucionet vendore të pafuqishëm mbeten edhe në menaxhimin e plazheve të prekura nga hedhja pa kriter e mbetjeve urbane.

Zonat turistike që ndodhen në pjesën veriore e perëndimore të qytetit vuajnë nga niveli i lartë i ndotjes në një kohë që Durrësi frekuentohet nga një numër i lartë turistësh vendas dhe të huaj.

Kur askush nuk ndërhyn rrezikohet që pushuesit të braktisin Durrësin./abcnews.al

Gazetare: Enkeleda Arapi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!