Veliaj nga Praga: Respekt e mirënjohje për artistët

schedule13:05 - 16 Qershor, 2018

schedule 13:05 - 16 Qershor, 2018

Dy ditë pas dëgjesës publike me komunitetin e aktorëve dhe regjisorëve për çështjen e Teatrit Kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, thotë se ndjehet i inkurajuar pasi u hap një faqe e re diskutimi. Kryebashkiaku Veliaj e bëri këtë deklaratë nga Praga, ku diskutoi me arkitektë e urbanistë për ndryshimet në kryeqytet.

Ndryshimet e ndodhura në Tiranë këto tre vite përmes projektesh si ai i sheshit “Skënderbej”, Pazarit të Ri, Bulevardit të Ri ka bërë që kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, të ftohet në një prej konferencave më të rëndësishme të arkitektëve dhe urbanistëve në Pragë të Republikës Çeke.

 “Më vjen mirë që gjithë ky vlerësim për Tiranën, mënyra si është gjallëruar qyteti, vjen edhe pas diskutimeve që kemi filluar me artistët për teatrin. Jam i bindur se në qoftë se me të njëjtën dashamirësi që po na sheh bota dhe që po na fton çdo javë të tregojmë historinë tonë të transformimit, ndërkohë që javën tjetër presim rezultatin e çmimit për sheshin “Skënderbej”, të kishim edhe këtë dashamirësi për njëri-tjetrin, që ndajmë një qytet, një hapësirë ku kemi lidhur jetën, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”.

Kryebashkiaku shprehet se ndjehet i inkurajuar nga dëgjesa e zhvilluar me komunitetin e aktorëve dhe regjisorëve për çështjen e Teatrit Kombëtar, pasi sipas tij, nisi një faqe e re diskutimi.

“Jam shumë i inkurajuar nga dëgjesa që patëm me aktorët sepse patëm një ulje tensioni, lamë mënjanë mëritë e vjetra, nisëm një faqe të re të diskutimit. Nëse me këtë mirësi mendojmë si të shfrytëzojmë një shans fantastik për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri, duke lënë mënjanë cic-micet e duke menduar për të mirën e përbashkët, që pas 20-30 vitesh të jemi krenarë që kur kishim vendimmarrjet në dorë, morëm një vendim të drejtë për ta modernizuar qytetin, siç po bëjmë edhe në fusha të tjera”.

Kryebashkiaku theksoi se kryeqyteti është duke rikuperuar kohën e humbur dhe po ecën përpara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!