Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kurse për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, nga masa “arrest në shtëpi” është dhënë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Në një intervistë në “Ora e Fundit”, në ABC News gazetari Artur Nura analizoi edhe deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të Veliajt.
Gazetari Nura theksoi se kryeministri Rama ka qartësuar se PS do të vazhdojë të mbështesë drejtësinë.
“Kemi të bëjmë me një situatë mjaft komplekse. Në këto ditë në këtë debat kur numri dy i PS kur tashmë është ndaluar nën akuzën për korrupsion, padyshim që komplikohet situata edhe nga pikëpamja politike. Për shkak të rëndësisë që ka një personalitet që ka zoti Veliaj, sigurisht Rama e artikuloi drejt pozicionin e tij, duke thënë që PS do vazhdojë të mbështesë drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Debatet e fundit tregojnë që edhe njerëz brenda SPAK, duket se kanë probleme. Në këtë plan shoh që Rama është i shqetësuar. Për reformën në drejtësi nuk mund të them që po rrezikohet. Gjykatësit dhe prokurorët duhet që të zbatojnë ligjet”, tha ndër të tjera ai.
I ndalur tek reagimet e ish-kryeministrit Sali Berisha, Nura tha se është dalluar për agresivitetin në deklarata ndaj personaliteteve publike politike, si edhe akuzat ndaj drejtësisë së re./abcnews.al/