Veliaj i përgjigjet akuzave të opozitës: Kopshti botanik nuk do të ndërrojë destinacion

schedule23:01 - 23 Tetor, 2019

schedule 23:01 - 23 Tetor, 2019

Kopshti Botanik nuk do të ndërrojë destinaciacion por do të jetë shumëfunksional e jo vetë për studiuesit. Garancinë e dha kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë konsultimit të buxhetit me banorët e njësisë 5. Gjatë fjalës së tij, Veliaj i sqaroi se të ardhurat vjetore të kësaj hapësire të gjelbër janë 50 lekë në ditë.

E akuzojnë se do të ndërtojë kulla në kopshtin botanik, por kryebashkiaku Erion Veliaj tregon se vetëm stili i menaxhimit do të ndryshojë.

“Nuk ndërron destinacioni, nuk do ketë asnjë ndërtim por më në fund të njëjtin stil menaxhimi që Bashkia e Tiranës ka për kryevepra si Parku Olimpik do e çojë edhe tek kopshti Zoologjik dhe Botanik”.

Kush nuk e beson i jep fjalën e burrit.

“Për këdo që do të ndezë flakë te kopshti botanik jap fjalën e burrit do zhgënjeheni totalisht se ajo do dalë kryevepër dhe do dilni prapë huq si te lodrat, si te shkolla Kosova, si te Pazari, si te Kalaja, si te bulevardi i ri, si te amfiteatri”.

Sipas bilanceve të Bashkisë kopshti botanik nuk nxirrte as shpenzimet e veta. Ndryshe nga ai zoologjik që arrite të fuste në arkë 15 milionë lekë në vit.

“Ndërkohë pra të paktën paguante veten, mirëmbajtjen dhe ushqimin e kafshëve; ndërkohë prapë pa investim, vetëm në vitin e fundit, Kopshti Botanik ka mbledhur 150 mijë lekë të vjetra, as gjysmën e rrogës për një roje, 150 mijë lekë të vjetra, pra po ta pjesëtojmë për 300 ditë, 500 lekë, pra një monedhë 50 lekëshe në ditë, pra prona në zemër të njësisë 5 gjeneron 50 lekë të vjetra në ditë, një kaush me fara, një paketë çamçakëz. A ka sens kjo?”

Për botanistët dhe biologët kishte përgatitur një letër të bardhë të cilën ia refuzuan.

“Ramë dakord me dekanin Spiro, me të gjithë kolegët e tjerë, i thamë: Ja letra e bardhë, shkruani çfarë investimesh duan, si duhet sera, si duhet të jetë pikat e ujit, si duhet të jetë shati dhe lopata, çfarë lloj humusi duhet, kur i keni orët e eksperimenteve, çfarë investimesh e mjetesh ju duhen, kamionësh? U kënaqën, u përqafuam, sa dha urdhër partia që jo do e sabotojmë, siç sabotojmë teatrin, lodrat, sheshin, Pazarin, siç sabotojmë liqenin, ju kujtohet”?

Këto deklarata kryebashkiaku Erion Veliaj i bëri gjatë konsultimit publik të buxhetit të Bashkisë për vitin 2020 me banorët e njësisë 5 të cilët i informoi se 51 dosjet e para për dëmshpërblim nga dëmtimet e tërmetit janë bërë gati dhe do ti kalojnë për trajtim në Këshill Bashkiak./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!