Tirana mirëpriti konferencën ndërkombëtare vjetore të platformës teknologjike LiboCon ku morën pjesë më shumë se 250 përfaqësues të platformave kompjuterike nga e gjithë bota. Gjatë konferencës bashkia e Tiranës dha dhe lajmin se çfarë do të ndodhe me godinën e Piramidës dhe mbi të gjitha çfarë do t’i ofrojë ajo zhvillimit të teknologjisë dhe informacionit.
U zhvillua në Tiranë konferenca ndërkombëtare vjetore e platformes teknologjike LiboCon me pjesëmarrjen e më shumë se 250 përfaqësuesve nga e gjithë bota, anëtarë të programuesve dhe zhvillimit të platformave kompjuterike.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Bashkia Tiranë është një nga të parat në Europë që u ofron qytetarëve krijimin dhe ruajtjen e dokumenteve, pa qenë të detyruar të përdorin platforma specifike.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Piramida e Tiranës do të jetë një tjetër hapësirë për ata që do të merren me teknologjinë e informacionit dhe duan që këto sisteme të hapura të popullarizohen, sidomos tek të rinjtë; do jetë një hapësirë ideale. Punën për transformimin e Piramidës do ta nisim nga fundi i këtij viti dhe vitin tjetër besoj do të kemi një hapësirë, siç janë këto programe të hapura, edhe një hapësirë me mendje të hapur.”
Kryebashkiaku Veliaj dha dhe lajmin e mirë se çfarë do të ndodhe me godinën e Piramidës nga fundi i këtij viti dhe se çfarë funksioni do të ketë ajo.
“Është shumë e rëndësishme për që në programet e shkollave të fusim këto koncepte të dijes së hapur dhe besoj se fillimi i mbarë dhe vendosja e Tiranës me këtë reputacion, na jep shumë kurajë për të ecur më tej.”
Gjithashtu Veliaj u shpreh se Tirana ka arritur të shfrytëzojë më së miri teknologjinë kundrejt shërbimit të qytetarëve.
Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që kultura dixhitale të zhvillohet edhe nëpërmjet programeve të mirëfillta shkollore duke futur koncepte të dijes së hapur dhe se vendosja e Tiranës me këtë reputacion jep shumë kurajë për të ecur me projekte të mëtejshme inovative./abcnews.al