Vdes në spital i riu, që u plagos një ditë më parë

schedule10:10 - 23 Gusht, 2019

schedule 10:10 - 23 Gusht, 2019

26 Vjeçari Indrit Çelaj, që u qëllua dje në kokë teksa punonte në një vilë për rregullimin e kondicionerëve, ndërroi jetë sot në mëngjes në spitalin e Traumës. Sipas hetimeve të deritanishme dy djemtë e shtëpisë janë autorë të vrasjes së tij. Por deri tani ata janë ende të lirë. Në pranga për moskallëzim krimi janë vënë pronari i vilës dhe disa persona të tjerë.

26 vjeçari Indrit Çelaj nga Mallakastra ishte duke rregulluar një kondicioner në një vilë tre katëshe në rrugën “Myslym Shyri”, kur u qëllua me një plumb në kokë mesditën e së enjtes . Por i riu nuk mundi t’u mbijetojë as 24 orë plagëve të rënda dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës mëngjesin e së premtes.

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka zbardhur të plotë ngjarjen. Sipas saj, dy djemtë e pronarit të vilës Griseldo dhe Albano Kusi janë shpallur tashmë në kërkim pasi janë autorët e vrasjes së Indrit Çelajt.

Nga hetimet e deritanishme rezultoi se në ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, dy vëllezërit 31 dhe 28  vjeç, pas një konflikti të çastit me Indrit Çelajn, që punonte si teknik kondicionerësh, e qëlluan të riun me armë në kokë.

Po nga veprimet hetimore, rezultoi se këta shtetas kanë biseduar me 27 vjeçarin me inicalet L.V, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.

27 vjeçari banues në Tiranë, gjatë orëve të vona të natës u ndalua nga Policia, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprat  penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve lufatarke dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Policia gjithashtu ka arrestuar edhe 4 persona të tjerë, mes tyre pronarin e vilës, Bujar Kusi, Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe  Luan Çaka, të cilët akuzohen për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. /ABC News Albania 24/7